DeutschlandRadio: 25 vjet mbas regjimit të Hoxhës lind ‘e majta e re’ në Shqipni (foto)

Nëse i hedhni nji sy raportimeve të mediave gjermanishtfolëse për Shqipninë, keni me pa me dheta shkrime për nji sulm të mundshëm terrorist ndaj kombëtares së Izraelit, nga militantë të dyshuem të Shtetit Islamik.

Por mes tyne gjen edhe nji reportazh interesant, persëri për ekstremet e Shqipnisë.

Radio publike gjermane, DeutschlandRadioKultur ka përgaditë nji reportazh për të majtën e re ekstreme në Shqipni.

Reportazhi asht përgaditë përpara se këta të rijë me krye sulmin ndaj ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

Megjithatë bje në sy vëmendja e gjermanëve për me pa në ‘skutat’ e ekstremeve shqiptare, diçka që media jonë nuk po e ban.

“25 vjet mbas ranies së regjimit komunist në Shqipni ka nji tjetër të majtë të re”, thuhet në reportazh.

Pika e tyne e takimit asht “Qendra Sociale”.

Bahet fjalë për nji banesë të vogël ku mblidhen militantët e rijë të majtë të asaj që njihet si Organizata Politike.

“Prej vitesh ata luftojnë kundër privatizimit të universiteteve,” vijon reportazhi.

Deni, nji 30-vjeçare aktive me këtë grupim, thotë: “Asht hajgare, në fillim njerëzit spekulonin për qendrën tonë, pyesnin se çfarë bahet aty. Disa mendonin se asht nji bordello, të tjerët mendonin mos jemi ndonjë sekt fetar”.

“Më pas i kanë pa fytyrat tona në televizion mbas protestave. Tash janë në fakt miqësorë, madje nuk ankohen as për zhurmën, mbasi ndonjiherë jemi të zhurmshëm”.

Ata thonë se lëvizja e tyne nisi pikërisht me 21 Kallnor 2011, mbas vrasjes së tre protestuesve opozitarë në qendër të Tiranës.

“Ishte nji moment kur ndjen se nuk je askushi. Dikush vrahet në rrugë dhe askush nuk kerkon drejtësi. Sepse askush nuk të perfaqëson, askush nuk interesohet për ty”.

Mes aktivistëve asht edhe Bora, 24 vjet.

Ajo thotë se ata mblidhen deri 24 orë në ditë për nji politikë ma ndryshe.

Në qendrën e tyne organizojnë netët e filmit, diskutojnë për të drejtat e punëtorëve në fabrika, flasin për teoritë e majta, oranizojnë festa.

Megjithatë thonë se distancohen nga regjimi i Enver Hoxhës.

“Stalinizmi kishte për qëllim centralizimin, represionin, shkeljen e të drejtave të njeriut. Ajo që kemi pasë në atë kohë në Shqipni ishte nji diktaturë”.

Në fund, të rijtë thonë se politika duhet me i marrë parasysh ata dhe akcionet e tyne.

 

5-riniaa