Diplomatët europianë thurrin lavdata për Jahjagën n’fund të mandatit!

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar dhe shefat e misioneve të BE’s sot i kanë shpreh mirënjohje Presidentes Atifete Jahjaga për bashkëpunimin midis tyne për pesë vite.

Në komunikatën për media thuhet se diplomatët e BE’s lavduen përpjekjet e Jahjagës për me i pajtu ndamjet politike dhe punën e saj n’interes të popullit të Kosovës.

“BE shpreh mirënjohje për Presidenten Jahjaga, për dedikimin e saj që Kosova me qene nji vend ma i mirë për popullin e saj”.

Samuel Zbogar, Shefi i Zyrës së BE’s në Kosovë, Përfaqësuesi Special i BE’s dhe Shefat e Misioneve të BE’s në Kosovë ishin sot nikoqirë të nji dreke lamtumirëse për Atifete Jahjagan, Presidenten në largim të Kosovës, për me falënderu ate për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm gjatë pesë viteve të kalueme.

Diplomatët e BE’s lavduen veçanërisht rolin e Presidentes Jahjaga në përpjekjen me i pajtu ndamjet politike në Kosovë, për me qendru mbi politikat partiake dhe për me punue n’interes të popullit të Kosovës në mënyrë unifikuese, tue demonstrue lidership.

“Gjatë pesë viteve të kalueme, Presidentja Jahjaga punoi për me ba Kosovën nji vend ma të mirë për popullin e saj.

Ajo mbështeti përpjekjet për luftimin e korrupcionit dhe ngritjen e vetëdijes për damin që i shkaktohet zhvillimit të shoqnisë kosovare nga kjo.

Presidentja ka qenë nji avokate e fuqishme e rritjes së rolit të grues në Kosovë dhe ka qenë veçanërisht mbështetëse e femnave viktima të dhunës seksuale.

Ajo po ashtu punoi me zell n’integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën publike.

Gjatë punës së saj, Presidentja punoi pa pushim drejt avancimit të aspiratave europiane të Kosovës dhe përafrimit të saj me vlerat europiane.

Ajo kontribuoi dukshëm në ngritjen e profilit të Kosovës ndërkombëtarisht.

Krejt familja e BE’s në Kosovë i deshiron Presidentes Jahjaga suksese në jetën e saj personale dhe profesionale”, thuhet në komunikaten e plotë.