Djali i Xhemajl Mustafës: Qe nga kush dhe pse janë vra udhëheqësit shqiptarë

Besian Mustafa, djali Xhemajl Mustafës, veprimtarit të vramë të LDK’s, përmes nji postimi në Facebook, ka kritikue ashpër të gjithë ata që flasin për vrasjet politike, e faktet nuk i deponojnë në prokurori.

Simbas Mustafës, asht e çuditshme se si në opinionin publik, qarkullojnë edhe emna për këto vrasje, por gjyqësia hesht.

“Po bahen gati dy dekada që kur filluen të kryhen këto vrasje – vrasja e Enver Malokut në Kallnor të 1999 – dhe Shteti i Kosovës, përfshi edhe UNMIK’un dhe EULEX’in, ka dështue me sjellë drejtësi për to.

Qe postimi i plotë:

X: “Ju keni vra udhëheqës shqiptar pas luftës.”
Y: “Jo valla, vrasësit dhe shokët e tyre janë me ju!”
X: “Jo valla! Në kohën e vrasjeve ata kanë qenë me ju!”
Z: “Jo jo, ata të vetit i kanë vra.”

Rëndomë siç ndodhë në kohë fushate apo pasfushate palët shkojnë ose duke u viktimizuar ose duke akuzuar njëra-tjetrën për dhjetëra vrasje politike që kanë ndodhur në Kosovë.

Mirë që më në fund keni filluar publikisht të pranoni që udhëheqësit shqiptar janë vrarë nga vet shqiptarët për arsye politike.

Por, a ka një dozë morali në këtë politikën tonë? A ka një dozë të asaj që njihet si përgjegjësi publike, apo të gjithë flasim çfarë të duam dhe kur të duam. Me rëndësi me mbledhë like, komente, share, klikime, vota, apojo?

Po bëhen gati dy dekada që kur filluan të kryhen këto vrasje – vrasja e Enver Malokut në janar të 1999 – dhe Shteti i Kosovës, përfshi edhe UNMIK-un dhe EULEX-in, ka dështuar të sjellë drejtësi për to.

Është e çuditshme sa shumë flasin dhe sa shumë dinë politikanët, gazetarët, prokurorët e analistët për këto vrasje – madje lakojnë edhe emra deri të policëve e deputetëve, sipas tyre, të përfshirë në këto vrasje – por është gjyqësia ajo që heshtë; ajo assesi nuk po arrin t’i arrestojë ata që dhanë urdhra për këto ekzekutime.

Si është e mundur që në një vend me një popullsi prej 1.8 milionë banorësh të gjithë dinë aq shumë, e askush nuk di asgjë!?

Për këto gati 17 vjet ajo që kemi kërkuar është zbardhja e vrasjeve politike në Kosovë, por asnjëherë nuk i kemi lejuar vetes që të akuzojmë individë apo organizata të caktuara. Është gjyqësia ajo që duhet ta bëjë këtë!

Publikisht, nga vetë politikanë, gazetarë, prokurorë e analistë, janë përmendur organizata, politikanë, lider partish, (ish)ministra… por e tëra ka përfunduar vetëm në akuza verbale. Dhe vetëm aq! Pa asnjë veprim konkret. Me rëndësi me mbledhë like, komente, share, klikime, vota, apojo?

Të nderuar të gjithë ju “që dini kaq shumë” për këto vrasje depononi dëshmitë në prokurori.

Të gjithë të vrarët politikë kanë qenë personalitete që kanë dhënë shumë për Shtetin e Kosovës. Kanë qenë personalitete që janë vrarë nga kundërshtarët e tyre politik (kushdo qofshin ata) dhe Shteti i Kosovës i ka borxh atyre dhe çdo qytetari të Kosovës t’u jap drejtësi.

E ju politikanë, gazetarë, prokurorë e analistë që dini shumë gjë e nuk dini asgjë, para se të flisni mendoni vetëm një gjë: çka nëse ju do të ishit në vendin e të vrarëve, a thua si do të reagonin familjet tuaja?

A e dini sa është e vështire, edhe pa deklaratat e juaja sensacionale llajko-komento-klikuese, të jetoni gjithë këto vite në lëkurën tonë dhe me pikëpyetjen në kokë ”kush e dha urdhrin?”

Me rëndësi me mbledhë like, komente, share, klikime, vota, apojo?

Në fillim ata iu sulën Socialistëve dhe unë heshta –
sepse nuk isha socialist.
Pastaj ata iu sulën Sindikalistëve dhe unë heshta –
sepse nuk isha sindikalist.
Pastaj ata iu sulën hebrenjve dhe unë prapë heshta –
sepse nuk isha hebre.
Pastaj m’u sulën mua – por s’kishte mbetur më askush të fliste për mua.