Djuric kërcënon për Trepçën

Serbia asht gjithmonë e gatshme për dialog, por jo për ta dorëzue pronën e saj. Kështu tha sot në Bruksel, drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric i cili shtoi se Beogradi nuk ka me qendrue duerkryq rreth kësaj çashtje.

Ai iu tha gazetarëve në Bruksel, mbas nji raundi tjetër të bisedimeve teknike me Prishtinën, se nuk kanë me ba lëshime katastrofale dhe kompromise të kalbuna në kurriz të popullit të vet, raportojnë mediat serbe, përcjellë Klan Kosova.

Simbas mediave serbe, Djuric në Misionin e Serbisë në BE në Bruksel zhvilloi nji takim me përfaqësuesit e 28 vendeve anëtare dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Europian.

Me këtë rast, Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën paraqiti qëndrimin e Serbisë “në lidhje me Trepçën, ligjin për investimet strategjike, por edhe në lidhje me mënyrën, në të cilën trajtohen përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës”.

“Politika jonë mbetet politika e bisedimeve, por kurrë nuk ka me qenë politikë e futjes së kryes në ranë, tue ba lëshime të pajustifikueshme dhe kompromise të kalbuna në dam të interesave të popullit serb”, ka thanë Djuric.

“Dialog po, por dorëzimi i pronës, fakti i lëshimeve katastrofale që ndoshta munden me na u kërkue për me zhvatë nga ne, ajo kurrë s’ka ndodhë,” tha ai, transmeton Klan Kosova.