Dogana dhe ATK bahen bashkë

Nga fillimi i vitit të ardhshëm Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës, simbas zyrtarëve qeveritarë, thuhet se kanë me funksionue si nji institucion i vetëm, i quejtun Agjencia e të Hyrave e Kosovës.

Bashkimi i dy agjencive, të cilat grumbullojnë paratë për buxhetin e Kosovës, ka me i përmirësue shërbimet për tatimpaguesit, njiherit ka me sjellë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë joligjore.

Avdullah Hoti, ministër i Financave, për Radion Evropa e Lirë, ban të ditun se aktualisht asht tue u punue në finalizimin e ligjit, dokument ky që shumë shpejt pritet me kalue në Qeveri dhe me u procedue në Kuvendin e Kosovës.

Kështu që, në Kallnor të vitit 2017, thotë ai, ka me u unifikue sistemi i mbledhjes së të hyrave për buxhetin e Kosovës.

“Bizniset kanë me pasë nji adresë të vetme, jo nji zyrtar tatimor dhe nji doganor. Dhe, mbi të gjitha, të krijojmë atë zinxhirin e pashkëputn prej momentit të importit të mallit, derisa malli të shitet mbrenda vendit, si masë për luftimin e ekonomisë joformale”.

“Kemi marrë praktikat ma të mira në rajon dhe më gjanë. Shumica e vendeve të Bashkimit Europian funksionojnë në këtë mënyrë. Tendenca asht në atë drejtim të bashkimit në nji agjenci të vetme të të hyrave buxhetore”, thotë Hoti.