Dorëzohet në Supreme ankesa për Sami Lushtakun

lushtakusami
Avokati Arianit Koci ka ba të ditun se sot në Gjykatën Supreme e ka dorëzue ankesën kundër aktgjykimit denues për Sami Lushtakun.

“Siç asht e njohun për publikun, Gjykata e Apelit n’aktgjykimin e saj, e aprovoi në tanësi ankesën e mbrojtjes andaj Sami Lushtaku u shpall i pafajshëm për veprën penale “Vrasje” tue u lirue prej denimit me dymbëdhjetë (12) vjet burg, të shqiptuem nga Gjykata Themelorë në Mitrovicë”, ka thanë Koci.

 

Lexoni njoftimin e plotë:

 

Megjithatë, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe e ka zavëndësuar me aktgjykim dënues për të pandehurin Sami Lushtaku, për veprën penale “cenimi i integritetit trupor dhe shëndetit të një numri të papërcaktuar të civilëve shqiptarë”, që ndërlidhet me Përgjegjësinë Komanduese të të pandehurit, duke e dënuar me shtatë (7) vite burgim.

Baza e ankesës mbështetet, ndër të tjera, në praktikën gjyqësore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Disa nga rastet që i kemi konsultuar për të provuar qëndrimin tonë juridik janë si në vijim:

Në çeshtjen Delalić, aktgjykimi i dt. 16 nëntor 1998, 377, Dhoma Gjyqësore e Tribunalit është shprehur se “përgjegjësia komanduese mbështetet në fuqinë e eprorit për të kontrolluar veprimet e vartësve të tij”. Në të njejtën çeshtje, Dhoma e Apelit në aktgjykimin e dt. 20 shkurt 2001, 256 dhe 266, ka aplikuar Testin e Kontrollit Efektiv, sipas të cilit duhet “të përcaktohet nëse eprori ka pasur aftësi thelbësore për parandalimin dhe ndëshkimin e sjelljës kriminale”. Kjo nënkupton se detyrimisht një epror duhet të ketë kompetenca të tilla paraprakisht dhe të mos i ushtrojë ato.

Tribunali më tej ka theksuar se, “një shkallë më e ulët e kontrollit, si për shembull, ‘ndikimi i konsiderueshëm’ nuk mund të provojë zotërimin e përgjegjësisë komanduese”.

Shembulli se sa është e vështirë të provohet Përgjegjësia Komanduese, mund të vërehet në çështjen Naletilić dhe Martinović, të trajtuar nga Tribunali i Hagës në Aktgjykimin e Dhomës së Apelit të dt. 3 maj 2006, 301-307. Në këtë rast, për të provuar kontrollin efektiv të të pandehurit Naletilić, me nofkën “Tuta”, mbi kampin e paraburgimit në Ljubuški, ku vartësit e tij u kishin shkaktuar, me dashje, vuajte të mëdha të burgosurve, prokuroria kishte mbledhur dhe ofruar provat në vijim: vartësit e kanë identifikuar vetën si “njerëz të Tutës”; dëshmitarët i kanë njohur shenjat e uniformës të vendosur në krahët e autorëve të krimeve, është gjetur lista e pagave që ka përmbajtur emrat e pjesëtarëve të grupit paramilitar të Naletilićit dhe një “ditar i luftës” i një ushtari.

Dëshmitë mbi të cilat Gjykata e Apelit e mbështet aktgjykimin dënues nuk janë të mjaftueshme për të provuar se Sami Lushtaku, jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm, ka zotëruar kontrollin efektiv mbi qendrën e ndalimit në Likoc.

Prandaj, nuk është vërtetuar se Sami Lushtaku ka pasur kompetenca të nevojshme materiale dhe kapacitet / aftësi thelbësore të një eprori, që të ndërmarrë masa për të parandaluar dhe ndëshkuar çfarëdo veprimi kriminal që mund të ketë ndodhur aty.

Pra, konstatimi i Gjykatës së Apelit lidhur me “fajësinë” e Sami Lushtakut është bërë duke u mbështetur në prova të pamjaftueshme, duke u bazuar vetëm në një deklaratë të një dëshmitari, të nxjerrë tërësisht nga konteksti dhe duke e zhvendosur barrën e provës në mbrojtjen, gjë e cila është në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare penale.