Dossier: Zhvillimi i Arsimit në Shqipëri në kohën e Mbretit Zog

Një nga fushat ku u përqëndrua kujdesi i qeverisë shqiptare dhe personalisht kujdesi i Mbretit Zog i I-rë ishte zhvillimi i shkollës së re shqiptare në kushtet e një shteti modern dhe të pavarur, pra në përgjithësi i arsimit të përshkuar nga fryma e ndezur atdhetare. Kuptohet lehtë se vënia e themeleve të shëndosha të godinës së shkollës dhe të arsimit kombëtar do të krijonte vetvetiu premisat për krijimin e një brezi të ri të brumosur me idealet e shenjta atdhetare, me dashurinë për familjen, atdheun dhe flamurin. Ky brez i ri i arsimuar sipas standarteve më të përparuara për atë kohë do të krijonte armatën e kuadrove dhe të nëpunësve të rinj. Ata do të vinin në lëvizje mekanizmat e aparatit shtetëror të mbretërisë shqiptare që po lulëzonte në atë kohë. Prej kësaj armate do të dilte gradualisht elita drejtuese e vendit, e cila do të përbëhej nga ajka e djalërisë shqiptare. Ajo e sigurtë do të merrte në duart e saj programin e shndërrimit të vendit tonë nga një vend i prapambetur agrar në një vend me industri, tregti, transport, turizëm, legjislacion, kulturë dhe diplomaci moderne.
Armata e kuadrove të arsimuar dhe kundërshtarët
Kujdesi i veçantë që u tregua për këtë sektor nga qeveritë shqiptare të kohës dhe personalisht nga vetë Mbreti Zog I, buronte pikërisht nga këto arsye themelore dhe, në veçanti, vetë Mbreti Zog mori të gjitha masat për krijimin sa më shpejt të kësaj armate kuadrosh të arsimuar. Vetëm me anë të tyre ai përfytyronte realizimin e plotë në praktikë të ideve dhe planeve të veta madhështore për shndërrimin e shtetit shqiptar të pavarur në vendin më të pasur dhe më të zhvilluar të Ballkanit, për ta shndëruar gradualisht në një vend me peshë dhe të respektuar në ekuilibrin e përgjithshërn të interesave të politikës ndërshtetërore mbarëeuropiane. Mbreti Zog I-rë e kishte të qartë plotësisht faktin themelor se mbretëria shqiptare e sapokrijuar nuk mund të ecte para me ata persona dhe me ata personalitete, të cilët kishin kontribuar shumë që nga lufta për shpalljen e pavarësisë dhe deri në stabilizimin e situatës së ngatërruar politike në vitet 1920-1924, e deri në “Triumfin e Legalitetit” më 24 dhjetor 1924. Tashmë roli tyre duhej të quhej i ezauruar.
Në këtë rrugë të gjatë të luftës plot rreziqe, të cilën Mbreti Zog e kishte udhëhequr personalisht, kishte pasur si bashkudhëtarë dhe bashkëpunëtorë njerëz të prirjeve dhe orientimve të ndryshme. Ata ishin integruar në lëvizjen e madhe për konsolidimin e pavarësisë së shtetit shqiptar, jo thjesht për idenë e madhe kombëtare, por për interesat personale. Këtë do ta tregonte koha për një pjesë të tyre, të cilët dolën kundërshtarë të betuar në momentet kyçe. Edhe pas shpalljes së Republikës Shqiptare më 21 janar 1925, por edhe pas shpalljes së Mbretërisë Shqiptare në 1 shtator 1928, shumë prej këtyre njerëzve me influencë Mbreti Zog i vuri në poste të rëndësishëm shtetërore. Ata e dinin që hanin bukën e shtetit shqiptar, por fshehurazi prisnin ditën që ta rrëzonin atë vetë nga pushteti ose të viheshin hapur në shërbim të një fuqie të huaj. Këtë akt ai e kreu i vetëdijshëm për hir të unitetit kombëtar dhe për vetë koniukturat ndërkombëtare dhe rajonale, në të cilat ndodhej shteti shqiptar i sapoformuar. Këta njerëz me pikëpamje kaotike dhe me prirje politike të dyshimta i kishin kryer shkollat dhe edukimin e tyre në vende të ndryshme disa dhjetëvjeçarë para formimit të shtetit të pavarur shqiptar apo të shpalljes së mbretërisë shqiptare. Kjo kishte ndodhur për vetë rrethanat historike të njohura, e diktuar nga pushtimet e njëpasnjëshme të huaja. Ata e kishin kaluar një pjesë të madhe të jetës në këto vende si në Turqi, Greqi, Austri, etj. Ishin këta faktorë që diktuan krijimin e shkollës së re shqiptare mbi bazat e një edukimi kaq të theksuar kombëtar, me një frymë shumë të fortë shqiptarizmi.

Fillimet
Natyrisht, zhvillimi i arsimit kombëtar nuk filloi apriori në vitin 1924, por u ngrit dhe u konsolidua në një shkallë të gjerë mbarëkombëtare mbi bazën e një tradite të hershme paraardhëse. Në radhë të parë iu kushtua kujdes ngritjes së një rrjeti të gjerë të shkollave fillore qytetëse (shtatëvjeçare). Këto u ngritën kudo, në të gjithë territorin e Mbretërisë Shqiptare, nga veriu në jug të vendit, por kuptohet që pjesa më e madhe e tyre u hapën nëpër qytete. Kurse nëpër fshatra arsimi eci më ngadalë. Duhet theksuar se qeveria shqiptare e kohës në politikën e saj arsimore, ashtu si për të gjithë sistemin arsimor në përgjithësi edhe për shkollën fillore dhe atë qytetase (shtatëvjeçare), nuk synonte anën sasiore por atë cilësore. Kështu në çdo qendër komune u hap nga një shkollë fillore. Përveç shkollave qytetëse (shtatëvjeçare) u hapën edhe shkolla të sistemit pesë vjeçar, të cilat për nga cilësia e materialit mësimor të lëndëve që zhvilloheshin në to nxirrnin kuadro shumë të përgatitura, të krahasueshme me nivelin e shkollës së mesme sot. Gjithashtu edhe shkollat pesë vjeçare të quajtura internat, të hapura kryesisht në qendra të vogla nënprefekturash, si për shembull në Burrel, në Peshkopi, në Krumë etj, të cilat ishin të një niveli shumë të lartë dhe kishin si veçori tolerimin e pjesëmarrjes së grupmoshave të ndryshme me një diferencë disavjeçare që nga ajo 14-15 vjeçare e deri tek ajo 20-vjeçare. Lëndët mësimore ishin të përgatitura nga një komision profesorësh, ekspertësh, të cilët siç e përmenda më sipër synonin që tek këta fëmijë të grupmoshës më të vogël, të fusnin frymën e atdhedashurisë më të kulluar. Më e spikatur kjo ndjenjë shprehej tek lënda e abetares:

Abetare bukuroshe
fletë të bardha pikaloshe
fort të dua të mësoj
qysh atdheun ta nderoj.
Do mësoj që jam shqiptar
i vërtetë, jo gënjeshtar
dhe Shqipërisë më çdo hall
t’i qëndroj si trim në ballë”.

(Abetare e vitit 1938)

Dhe në një vjershë tjetër të abetares i mëshohej idesë së dashurisë për trojet tona mbarëshqiptare, që vuanin nën zgjedhën e shovinistëve fqinjë:

O flamur i Shqipërisë
me shqiponjën e lirisë
tani prapë bëhu gati
të valosh me trimëri
me nder dhe me lavdi
në Kosovë e Çamëri
kombi yt të thërret
të veç prapë në atë vend
ku ke qenë do të jesh
në Kosovë do të veç
flamurin sllav ta rrëzosh
vetëm tinë të valosh
“.

Ky edukim kaq i spikatur atdhetar realizohej suksesshëm edhe në nivelin më të lartë pasardhës të shkollës shtatëvjeçare si dhe në atë të mesme. Para futjes së nxënësve në shkollë për çdo mëngjes kryhej rituali i ngritjes së flamurit kombëtar dhe këndimi i himnit kombëtar nga nxënësit. Në fund të periudhës 1925-1939 u çelën gjithsej 643 shkolla fillore në të gjithë vendin.

Shkolla e mesme në vitet 1925- 1939
Përsa i përket shkollës së mesme edhe kjo shënoi arritje të mëdha dhe të pakrahasueshme, jo vetëm me periudhat e mëparshme, por edhe me nivelet e shkollave homologe në vendet fqinjë si dhe me ato evropiane. Tradita e ngritjes së shkollave të mesme në vendin tonë kishte filluar qysh në kohën e sundimit të xhonturqve, kur u hap në Elbasan Shkolla Normale Shqiptare më 1 dhjetor 1909. Kjo ishte shkollë e mesme pedagogjike që do të përgatiste mësues për shkollën fillore. Pastaj kemi hapjen e Liceut Francez në Korçë, në kohën e Luftës së Parë Botërore nga ana e autoriteteve franceze të pushtimit më 1916, e cila ishte një nga shkollat më të forta të vendit edhe në vitet e mëvonshme. Në vitet 1920-1924 kemi hapjen e gjimnazit në Shkodër, Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë si dhe të një gjimnazi po në Tiranë.
Në zhvillimin e arsimit kombëtar ndihmuan mjaft kongreset arsimore shqiptare të mbajtura në Lushnjë më 1920, në Tiranë (1922, 1924) si dhe arsimtarët e shquar Aleksandër Xhuvani, Ahmet Gashi, Sali Ceka etj.
Për periudhën 1925-1939 kemi ngritjen e gjithsej 18 shkolIave të mesme të përgjithshme dhe të arsimit profesional, duke përfshirë natyrisht edhe shkollat prestigjioze të lartpërmendura, të cilat njohën një lulëzim dhe zhvillim mahnitës. Krahas gjimnazeve kemi ngritjen e Liceut të Gjirokastrës, të shkollës tregtare të Vlorës, të Shkollës Bujqësore Amerikane në Kavajë. Këto shkolla të mesme u jepnin nxënësve një përgatitje të gjithanshme si nga shkencat natyrore, të cilat kishin rolin primar, ashtu edhe nga shkencat shoqërore. Këtu një kujdes shumë i madh u kushtohej lëndëve të tilla si historia dhe gjeografia e Shqipërisë. Shkollat e mesme të dëgjuara në atë kohë ishin ndër të tjera edhe instituti femëror “Nëna Mbretëreshë, i ngritur në Tiranë, posaçërisht për nxënëset vajza. Ato përgatiteshin si pedagoge dhe edukatore të ardhshme të brezit të ri të vajzave shqiptare. Ato vinin nga prefektura të ndryshme të të gjithë vendit. Po ashtu edhe Medreseja e Tiranës e cila përgatiste kuadrot e ardhshëm drejtues të Komunitetit Mysliman të të gjithë Mbretërisë Shqiptare. Gjithashtu në qytetin e Shkodrës funksiononin dy lice privatë fetarë të drejtuara dhe të administruara, njëri nga klerikët katolikë jezuitë dhe tjetri nga etërit françeskanë. Po kështu në vend ishin ngritur disa shkolla teknike italiane. Personeli mësimdhënës në këto shkolla të mesme ishte shumë i kualifikuar nga ana pedagogjike, pothuajse të gjithë, qoftë të huaj, qoftë pedagogë vendas kishin mbaruar degë të ndryshme të shkollës së lartë në vendet më të zhvilluara perëndimore. Mësimdhënia shoqërohej përveç një niveli shumë të lartë të shpjegimit edhe me një kërkesë maksimale të kontrollit të dijeve nga ana e nxënësve, duke mos bërë as lëshimin më të vogël.
Sistemi i vlerësimit të nxënësve me notë bëhej sipas praktikës së kohës me grupnotat nga 1 deri në 5, ku nota 5 ishte nota që shprehte vlerësimin maksimal. Përveç lëndëve të ndryshme mësimore, nxënësit shqiptarë të asaj kohe në shkollat e mesme të vendit mësonin edhe disa gjuhë të huaja që shkonin dy deri në katër dhe që ishin gjuhët kryesore evropiane: italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht. Ndërsa në shkollën e mesme fetare të komunitetit fetar mysliman, pra në Medresenë e Tiranës, përveç gjuhëve kryesore evropiane mësoheshin edhe gjuhët kryesore lindore, ku parësore ishte gjuha arabe. Në kuadrin e shkollës së mesme një vend të rëndësishëm filluan të zënë edhe kurset ushtarake për oficerë dhe shkolla e oficerëve, e cila filloi përgatitjen e oficerëve të rinj, të cilët më pas, natyrisht kontigjenti më i përgatitur, dërgoheshin në akademitë ushtarake evropiane, kryesisht në ato italiane.
Kështu zhvillimi i arsimit në vendin tonë, përsa i përket periudhës në fjalë, shkoi deri në nivelin e arsimit të mesëm. Kjo u bë duke marrë parasysh kushtet konkrete historike, shkatërrimet, prapambetjen dhe vështirësitë e shkaktuara nga pushtimet e huaja të njëpasnjëshme mbi vendin dhe popullin tonë, pushtime që kishin shkaktuar trauma dhe tronditje në vetëdijen dhe unitetin si dhe në botëkuptimin dhe nivelin kulturor të shtresave dhe të pjesëve të ndryshme të popullsisë shqiptare. Prandaj, duke u bazuar mbi gjendjen konkrete, qeveria shqiptare dhe posaçërisht Mbreti Zog I, e orientuan gjithë punën e tyre në këtë drejtim, në radhë të parë për ngritjen dhe konsolidimin e bazave të fuqishme të një rrjeti të gjerë të nivelit të asokohshëm europian të shkollave fillore dhe qytetëse dhe atyre të mesme. Vetëm pas çimentimit të këtyre bazave dhe krijimit të një plejade nxënësish të përgatitur maksimalisht në çdo pikëpamje me mbarimin e shkollës së mesme, nga të cilët do të përzgjidheshin kuadrot që do të shkolloheshin në Perëndim, prej të cilëve një pjesë do të ishin profesorë të ardhshëm të rrjetit të shkollave të mesme të vendit dhe të atyre të larta që do të hapeshin në perspektivë, do të bëhej e mundur që gradualisht të fillonin të ngriheshin edhe në Shqipëri institutet dhe fakultetet e para të shkollës së lartë Shqiptare. Për ta bërë më të qartë këtë parashtresë, ideja ishte pra që të krijohej një shkollë tërësisht shqiptare që nga themelet e saj, e cila do të ishte baza për krijimin e një shkolle të lartë shqiptare tërësisht të pavarur, të ngritur dhe të mbajtur nga vetë shteti shqiptar, me kuadro të përgatitur dhe të shkolluar prej tij, të cilët do të ishin tërësisht të origjinës etnike shqiptare. Se deri në ç’shkallë interesohej Mbreti Zog I për brumosjen e nxënësve shqiptarë me dije të gjera, por mbi të gjitha me frymën atdhetare, e tregon më së miri porosia drejtuar Ministrisë së Arsimit të kohës që në praktikën e dërgimit të nxënësve shqiptarë jashtë shtetit të mos i jepej bursë asnjë nxënësi që nuk e kishte kryer plotësisht shkollën e mesme, ose që mund të ishte shumë i talentuar por që kishte mbaruar vetëm shkollën qytetëse (shtatëvjeçare).

Shkollimi jashtë vendit
Direktivat tejet të rëndësishrne për dërgimin e nxënësve shqiptarë jashtë shtetit vetëm pasi të kishin mbushur 18 apo 19 vjeç dhe të kishin kryer plotësisht shkollën e mesme në Shqipëri, diktohej nga përvoja shumë e hidhur e edukimit të sa e sa fëmijëve në dekadat apo shekujt e mëparshëm në vende të huaja ku ata merrnin kulturën e këtyre vendeve por ku një pjesë e madhe e tyre asimiloheshin duke harruar gjuhën e nënës. Shembujt më të hidhur vinin nga trevat shqiptare të pushtuara nga shovinistët fqinjë, ku bëheshin përpjekje të parreshtura, të shoqëruara nga dhuna dhe terrori, kryesisht në trevat shqiptare nën Mbretërinë Jugosllave, që fëmijët shqiptarë të mësonin në shkollat e hapura nga qeveria serbe dhe ajo malazeze, si dhe në tokat e Çamërisë, ku popullsia çame e mbetur, kryesisht ajo ortodokse, ishte e detyruar që t’i dërgonte fëmijët në shkollat greke. Nisur nga kjo përvojë tepër e hidhur shkatërrimtare për të ardhmen e kombit shqiptar, u vendos pra që nxënësit shqiptarë brenda kufijve zyrtarë të Mbretërisë Shqiptare ta kryenin arsimimin e mesëm të plotë dhe të arrinin moshën e pjekurisë në gjirin e familjes dhe të shoqërisë shqiptare, për të arritur kështu një ndërgjegjësim dhe vetëdije të plotë për identitetin e tyre, që do t’u shërbente si një pasaportë dhe një mburojë kudo që të shkonin për t’u shkolluar. Shkollat e mesme të ngritura edhe më parë, por edhe ato të ngritura gjatë periudhës së Mbretërisë, arritën në ato vite kulmin e lulëzimit të tyre, duke u ngritur në stadin e një universiteti për nga shkalla e përgatitjes dhe e njohurive që u dhanë nxënësve shqiptarë. Pa e tepruar mund të thuhet se ato ishin shkollat e mesme me nivelin më të lartë dhe që nxorën nxënësit më të përgatitur në gjithë gadishullin tonë, por edhe në Europë. Studentët shqiptarë që dërgoheshin jashtë vendit për të studiuar, pranoheshin pa konkurs në çdo universitet të botës, vetëm duke paraqitur diplomat e marra në shkollat e mesme shqiptare. Kudo që shkuan ata treguan një nivel superior, mjaft më të lartë nga të bashkëmoshatarëve të tyre, duke nderuar veten dhe shkollat që i përgatitën.

Shqiptarët në universitetet e Europës dhe të SHBA-ve
Një kujdes shumë i madh iu kushtua në ato vite dërgimit të studentëve shqiptarë me bursa nga ana e Ministrisë së Arsimit në universitetet më të dëgjuara të Europës Perëndimore dhe të SHBA-së Gjatë periudhës 1925-1939 u dërguan nga ana e qeverisë shqiptare me bursë studimi rreth 400-500 studentë kryesisht në universitetet e Italisë, Austrisë, Francës, Anglisë, Gjermanisë, SHBA-së, por një kontigjent i kufizuar u dërgua edhe në vendet ballkanike si në Greqi, Rumani, Turqi etj, pa llogaritur kontigjentin e studentëve të cilët ishin bij bejlerësh, agallarësh, tregtarësh të mëdhenj dhe që i vazhduan këto shkolla të larta me shpenzimet e familjeve të tyre. Në kuadrin e përgjithshëm të emancipimit të vendit nga qeveria shqiptare u dërguan me bursë studimi edhe një grup vajzash të talentuara, që nderuan figurën e vajzës dhe të femrës shqiptare kudo në botë me përgatitjen dhe dinjitetin e tyre tepër të lartë. Kriteret e përzgjedhjes së këtyre studentëve ishin tepër të rrepta. Ato bazoheshin në nivelin shumë të lartë të notave dhe të përgatitjes individuale të nxënësit si dhe në figurën e tij morale. Një kujdes shumë madh i kushtohej në atë kohë figurës së mësuesit, që ishte sa e dashur aq edhe e respektuar nga nxënësit dhe nga populli i thjeshtë. Mësuesit përzgjidheshin sidomos për nivelin e shkollës së mesme në bazë të përgatitjes dhe të shkollimit të kryer, që vërtetohej nga diploma e marrë në universitetet e huaja, kryesisht ato perëndimore. Paga mujore e mësuesit shkonte nga 6-8 napolona flori, e cila jepej në bazë të kritereve të vjetërsisë dhe të përvojës në punë, në një kohë kur rroga e një oficeri të thjeshtë arrinte në 7 napolona flori në muaj, kurse rroga e një oficeri të lartë të Ushtrisë Mbretërore Shqiptare arrinte në 12 napolona flori në muaj. Në një rast, kur disa gazetarë të huaj e pyetën Mbretin Zog se përse ai i paguante kaq shumë këto dy kategori, ai u përgjigj kështu: “Mësuesi më ndriçon mendjen e kombit, kurse oficeri më ruan kufijtë e kombit”.

Përpjekjet për laicizmin e shkollës shqiptare
Qeveria shqiptare i kushtoi një kujdes shumë të madh laicizimit dhe modernizimit të shkollës së re shqiptare. Mbreti Zog I veçanërisht ishte shumë i ndjeshëm në këtë aspekt dhe mori masa energjike për ta ezauruar tërësisht në praktikë këtë proces kompleks dhe të vështirë, duke e ditur që laicizimi i shkollës shqiptare bënte pjesë në tërësinë globale të kombëtarizimit të saj. Në një kohë kur i kushtohej kujdesi më i madh çështjes së dërgimit për studime dhe kthimit pas të tyre në Shqipëri të çdo studenti shqiptar me një shpirt të pacënuar kombëtar nga ndikimi i botës së huaj, Qeveria shqiptare dhe Mbreti Zog nuk mund të lejonin kurrsesi që kjo dramë të ndodhte brenda kufijve të mbretërisë shqiptare, në shkollat që e zhvillonin procesin mësimor me vetë lejen dhe miratimin e Ministrisë së Arsimit të shtetit shqiptar. Siç dihet, në Shqipëri, përveç shkollave shtetërore zhvillonin veprimtarinë e tyre edhe shkollat private si edhe disa shkolla fetare të kontrolluara nga kleri i tyre përkatës. Problemet më të mëdha dolën me klerin drejtues të bashkësisë fetare katolike me qendër në Shkodër. Një konflikt i ashpër ndërmjet autoriteteve të Tiranës dhe Kishës Latine ndodhi për shkollat katolike të mbyllura nga Mbreti Zog më 1933 dhe të rihapura vetëm më 1936. Për tre vjet katolikët shqiptarë i quajtën të drejtat e tyre më të shenjta të cënuara dhe protestuan ashpër kundër qeverisë së Tiranës. Mbyllja e shkollave katolike përfshihej në masën më të përgjithshme të mbylljes ose të shtetëzimit të të gjitha shkollave private dhe të huaja që ndodheshin në Shqipëri. Përveç liceve të jezuitëve dhe françeskanëve në Shkodër dhe shkollave të tjera të mesme dhe fillore të drejtuara nga kongregacione fetare dhe nga kleri katolik i malësive, ligji i ri godiste para së gjithash disa shkolla private myslimane, shkollat e pakicës serbe në veri dhe ato vllehe në jug, liceun francez në Korçë, shkollat e shumta helenike në jug pranë kufijve helenikë, disa institute të financuara nga amerikanët dhe të administruara nga italianët në qytete të ndryshme shqiptare. Në ato rrethana politike, në të cilat Shqipëria përpiqej të çlirohej nga përqafimi mbytës i Italisë, shndërrimi i sistemit shkollor shqiptar kishte kuptimin e një mase thjesht antiitaliane, që synonte të afirmonte pavarësinë e vendit tonë të vogël përballë fqinjit të madh adriatikas. Në këtë masë të vendosur të qeverisë shqiptare të kohës ishte ideja e edukimit të rinisë shqiptare me atdhedashurinë dhe besnikërinë ndaj institucioneve të shtetit, edukim që duhej realizuar në mënyrë të pandarë, të centralizuar e të kontrolluar. Për të përdorur shprehjet e një përkujtese të Ministrisë së Arsimit të nëntorit 1934, dëshirohej një edukim kombëtar, një arsim shkollor unitar dhe një kulturë uniforme. Në vitin 1932 ministri i arsimit, Hile Mosi në polemikë me françeskanët e “Hyllit të Dritës”, kishte qenë edhe më i hapët në kriterin ndaj një sistemi shkollor pluralist: “Ne nuk mund të edukojmë popullin tonë, veçanërisht masën e të rinjve, mbi themele të kalbura, që mbështeten mbi shpifjen, në poshtërimin, në hipokrizinë… Qëllimi, ose themeli i kulturës kombëtare dhe i mësimdhënies sonë duhet të jetë formimi i një karakteri të shëndoshë, të lëvruar me një frymë të sinqertë, pa sëmundje shpirtërore… Shtetit, që është udhëheqësi i popullit do t’i sigurojmë një të drejtë dhe një kontroll më radikal në arsim, për të mos edukuar një rini me ndjenja materiale… por plot vetëmohim për shoqërinë dhe për kombin e vet.
Për të realizuar reformën shkollore në janar 1933 Mbreti Zog kishte thirrur në postin e Ministrit Mirash Ivanajn, i cili ishte tepër intrasigjent në detyrën e tij, ku qëndroi për dy vjet me radhë, d.m.th. përderisa qeveria shqiptare mundi që ta mbështeste pozitën e tij në fushën arsimore. Në fakt më 1935-1936 dy elemente kontribuan në zbutjen e pozitës së mbretit Zog në çështjen e shkollave. Para së gjithash Shqipëria kishte nevojë të përmirësonte marrëdhëniet me Italinë që ishin prishur sidomos gjatë historisë së shkollave. Në marrëveshjet e reja politike të nënshkruara ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve të vitit 1936, një nga pikat e para që u rishikuan qe çështja arsimore. Së dyti, Mbreti Zog u dënua botërisht nga Lidhja e Kombeve dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, që më 6 prill 1935 dënoi politikën arsimore të qeverisë shqiptare duke iu referuar pakicës grekofone të Shqipërisë së Jugut. Kjo pakicë, e përkrahur prej diplomacisë helenike kishte bërë thirrje për detyrimet e marra nga qeveria shqiptare më 1921 përpara Lidhjes së Kombeve, në të mirë të pakicave që gjendeshin në territorin e saj. Në studimet që janë bërë, përgjithësisht mbyllja e shkollave katolike më 1933 është lidhur me konfliktin në mes të mbretit Zog dhe italianëve. Pasi mbaroi më 1936 faza e ndeshjes së mprehtë me italianët, Mbreti Zog do të lejonte në fakt hapjen e shkollave katolike. Në maj të vitit 1936, pas dhënies së dënimit nga Lidhja e Kombeve dhe në atmosferën e një çtendosjeje të marrëdhënieve me Italinë Mbreti Zog nxjerr një ligj me të cilin synon të mbyllë çështjen e vjetër të shkollave private. Legjislacioni i 1933-it mbeti pjesërisht në fuqi, se me mundësimin e hapjes së shkollave private, mësimi bëhet prapë “i lirë”, por gjithnjë i shenjuar prej shpirtit të kombëtarizmit që kishte vulosur masat e tre vjetëve më parë. Merren masat më të forta për të kontrolluar dhe kufizuar emërimin e mësuesve të huaj, me qëllim që gjuha e përdorur në shkollat e çdo rendi e shkalle të jetë shqipja, që librat mësimorë të jenë në gjuhën e nënës. Kështu, me një punë të përkushtuar, plot energji dhe patos atdhetar u arrit që të ngrihej godina e re e shkollës kombëtare shqiptare, e cila u ideua, u projektua dhe u konkretizua për të qenë tërësisht laike dhe kombëtare, në shërbim vetëm të interesave të larta të atdheut. Në total, numri nxënësve që dolën nga bankat e shkollës, që nga ajo fillore dhe deri në atë të mesme, për periudhën 1924-1939 arriti në 60.000 vetë, një numër mjaft i konsiderueshëm ky, po të marrim parasysh kushtet historike, numrin e popullsisë së atëhershme, nivelin e përgjithshëm të arsimimit, si dhe përgatitjen tepër cilësore të kësaj plejade nxënësish. Në këto shkolla u përgatitën edhe një numër i madh nxënësish nga trojet e tjera shqiptare, si në internatin e nënprefekturës së Kosovës me qendër të Krumë, në Normalen e Elbasanit, në shkollën tregtare në Vlorë si dhe në shkollat e ndryshme të qyteteve të Shkodrës dhe të Tiranës. Këta nxënës u bënë më pas pishtarët e përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe në viset e robëruara nën Jugosllavi, të çliruara përkohësisht në kohën e Luftës së Dytë Botërore, gjatë pushtimit italian dhe më pas atij gjerman, por edhe në vitet e mëvonshme, duke përhapur kudo në këto vise frymën e atdhedashurisë dhe të flakës së pashuar të shqiptarizmit. Si përfundim duhet të themi se ishte meritë e padiskutueshme historike e Mbretit Zog I-rë, ngritja e një sistemi aq të përparuar arsimor dhe me një frymë të theksuar atdhetare, çka shënon krijimin e sistemit shkollor shtetëror shqiptar pas aq shekujsh pushtimi dhe përpjekjesh për zhdukjen e popullit dhe të gjuhës shqipe nga skena e historisë.