Drejtori i policisë malazeze: Ky ishte caku i t’arrestuemve serbë

Drejtori i policisë malazeze, Slavko Stojanovic, gjatë ditës së sotme në nji konferencë për media u shpreh se gjatë natës së 16 Tetorit, policia malazeze ka arrestue 20 shtetas serbë, të dyshuem për krijimin e nji organizate kriminale dhe terroriste.

Simbas Stojanovic, akcioni për arrestimin e tyne u krye nga zyrtarët e Administratës së Policisë, bashkë me Agjencinë për Sigurinë Kombëtare dhe kishte për qëllim sulmin mbi disa institucione malazese.

“Këta persona dyshohet se kanë hy në territorin e Malit të Zi, kanë kry veprën penale për krimin e nji organizate kriminale dhe terroriste. Ata sic dyshohet kanë hy në Malin e Zi me qëllim që të marrin armët automatike, mandej që sonte të kryejnë sulm mbi institucionet e sistemit, policinë dhe përfaqësuesit e organeve shtetnore, tue mos përjashtue mundësinë e sulmeve mbi zyrtarët e naltë të shtetit”, thotë drejtori i Policisë malazeze.