Drejtori i RTK’s kërkon suspendimin e redaktorit që kishte fye komunitetin LGBTI

Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, asht distancue nga gjuha e ndytë që redaktori i RTK’së, Arsim Halili, ka përdor për komunitetin LGBTI.

“Ofendimet publike të bame nga Arsim Halili në drejtim të komunitetit LGBTI janë qëndrime personale të tij dhe në asnji mënyrë nuk përbajnë qëndrim të RTK-së. RTK respekton të drejtat e secilës përkatësi në mënyrë të barabartë, pra edhe të përkatësisë seksuale”, ka shkrue Shala në llogarinë e tij në Facebook.

Shala ka thanë se, si Drejtor i Përgjithshëm menjiherë ka kërkue suspendimin e redaktorit Halili nga vendi i tij i punës, mbas gjuhës që ai ka përdor për komunitetin LGBTI dhe ka kërkue nga kryeredaktori i RTK3 me inicue qysh sot procedurë diciplinore ndaj të punësuemit Halili.

Ky asht reagimi i plotë i Shalës në Facebook:

“Si Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së dhe në emër të menaxhmentit të RTK-së distancohemi nga qëndrimet publike të njërit nga redaktorët e lajmeve të RTK-së, Arsim Halilit ndaj komunitetit LGBTI. Ofendimet publike të bëra nga Arsim Halili në drejtim të komunitetit LGBTI janë qëndrime personale të tij dhe në asnjë mënyrë nuk përbëjnë qëndrim të RTK-së. RTK respekton të drejtat e secilës përkatësi në mënyrë të barabartë pra edhe të përkatësisë seksuale. Dëshmi për këtë është edhe rregullorja e RTK-së që ka të bëjë me standardet profesionale të RTK-së, të cilat secili punëtorë i RTK-së është i obliguar t’i zbatojë. Si Drejtor i Përgjithshëm menjëherë kam kërkuar suspendimin e redaktorit Arsim Halili nga vendi i tij i punës dhe kam kërkuar nga kryeredaktori i RTK3 të iniciojë që nesër procedurë diciplinore ndaj të punësuarit Arsim Halili. Me transmetimin e drejtpërdrejtë në dy kanalet televizive RTK1 dhe RTK3 të marshit të komunitetit LGBTI më Prishtinë, të martën më 17 maj 2016, RTK ka dëshmuar se mbështetë liritë e secilit në Kosovë. RTK gjithashtu është e hapur dhe është duke përgatitur emisione që do tē trajtojnë problemet me të cilat përballet komuniteti LGBTI në Kosovë dhe do të kontribuojmë në avancimin e të drejtave të tyre nē Republikën e Kosovēs si vend demokratik ku janë të garantuara të drejtat e secilit.”