Drenori flet edhe njiherë lidhun me deklaratën për Imer Bekën

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhavit Drenori përmes nji postimi të bamë në Facebook kishte akuzue Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Bekën, për inkurajim të korrupcionit në Komunën e Drenasit.

Por, jo vetëm kaq. Drenori me anë të këtij statusi kishte theksue se nuk asht vrasës, por nëse nji ditë kishte me u ba, kishte me vra vetëm nji njeri, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka!

I kontaktuem nga Indeksonline, Drenori ka ba të ditun se nuk e tërheqë deklaratën e bame, por që simbas tij askush nuk duhet të tutet mbasi ai nuk asht vrasës.

“Kam mbete i befasuem nga reagimi i ministres (Dhurata Hoxha), sepse në vend që të kërkonte informacione se çka ka ndodhe realisht ose prej meje ose prej personave mbas gjithë atyne kallximeve penale që janë dërgue e procedu dhe nuk ka reague Prokuroria”, ka thanë Drenori.

Madje, simbas tij, gjyqësia ka pase para vetës gjithë faktet për korrupcion, por nuk ka veprue.

“Më vjen keq për gjendjen e saj, sa i përket deklaratës sime po u them ju dhe Kryeprokurorit që unë nuk jam vrasës dhe nuk ka pse tutet. Unë për dy vjet kam pase aktivitet monitorues të kryetarit dhe kam hasë në hajni të madhe në Drenas, dhe gjithë këtë e kam procedu në gjyqësi dhe ata nuk kanë veprue, dhe jam befasue për gjithë këtë gja”.