Dritëro Agolli ia ndryshon mbiemnin Thaçit: E ki Taçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës në Tiranë, dekoroi me “Urdhnin e Pamvarësisë” shkrimtarin e njohun, Dritëro Agolli.

Gjatë vizitës në shtëpinë e Agollit, u zhvillue edhe nji bisedë interesante, e zbardhun nga Shekulli.

Dritëro Agolli: U lodhët ca se e kishit ditën e ngjeshur sot.

Hashim Thaçi: Nuk jemi lodhur fare. Sepse sot kaluam tepër mirë. Si jeni ju? I fortë?

Dritëro Agolli: Unë shumë i fortë nuk jam, por po përpiqem të jem.

Hashim Thaçi: Ju jeni edhe i fortë, dhe na keni forcuar dhe ne të gjithëve në çdo kohë.

Dritëro Agolli: Epo kanë ardhur kohë të mira për ne shqiptarët, tamam siç kanë dashur rilindasit tanë në Lidhjen e Prizrenit. Atje u bë, atje e kemi pikënisjen. Kjo që po ndodh sot është pjesë e programit të tyre, vetëm se ata nuk e kishin në programin e tyre të bëhen dy republika. Bile unë mezi e them Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, nuk mund ta bëj këtë ndarje. Nuk duhet të thuhet Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë, por Republika e Shqipërisë këtej Drinit dhe përtej Drinit. Ka ndodhur që kemi dy Republika dhe dy Presidentë. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Ju jeni zgjedhur tani të përfaqësoni Republikën e Shqipërisë së përtej Drinit dhe ne jemi të gëzuar që ju presim, por edhe sikur në Prizren ta kishit këtë takim, unë do të kisha ardhur sepse në vitin e parë të zgjedhjes suaj, vini për herë të parë këtu për të më nderuar mua. këta ju thonë Hashim Thaçi, unë ‘h’-në do ta heq, do të them Taç, sepse kështu është ‘Th’-ja është mbeturnë e vjetër e fjalëve anglosaksone. Ne kemi rrjedhur nga Kolonja. Ne i themi Taçi. E quajmë Taçi sipër e Taçi poshtë.

Sadije Agolli: Gëzuar, mirëseardhët! Suksese.

Hashim Thaçi: Është kënaqësi për mua që kam ardhur për t’ju uruar ditëlindjen e 85-të. Ju uroj jetë të gjatë. Unë e di se jam para gjeniut të letrave shqipe dhe jo vetëm. Ato që ke shkruar kanë qenë frymëzim për të gjithë gjeneratat në Kosovë në vitin ’68 për lirinë e Kosovës, në vitin ’91 për protestat në Republikën e Kosovës edhe në demokraci. Në fillim të viteve ’90 ia keni thënë të vërtetën qytetarëve në Shqipëri për tranzicionin demokratik që ka kaluar vendi. Keni artikuluar qartë se si Shqipëria duhet të ndryshojë.

Dritëro Agolli: Ne si shtet këndej Drinit këtë punë kemi, bëjmë shumë propagandë të madhe duke sulmuar njëri-tjetrin. Ju e shihni në shtyp që shpeshherë zihen në parlament vetëm për pozita personale. Nuk e di a do shpëtojmë ndonjëherë nga zënkat. Vetëm kur bie llafi për Republikën përtej Drinit, nuk zihen, madje bashkohen. Unë mendoj se duhet një kulturë e gjerë demokratike në parlament. Kur të ngrihet kultura demokratike, do shpëtojmë si vend.