Dy deputetët e LDK’s e kanë nji zgjidhje për Demarkacionin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, dhe bashkëpartiakja e tij, Vjosa Osmani, kanë ofrue nji zgjidhje për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Simbas tyne, subjektet politike në Kosovë mund të arrijnë nji marrëveshje në të cilën e shprehin vullnetin e tyne për ta zgjidhë çashtjen e Demarkacionit mbrenda disa muejsh dhe që kjo marrëveshje të shendrrohet në rezolutë të Kuvendit në mënyrë që institucionet e Bashkimit Europian me mujt me votue pro liberalizimit të vizave, me kusht që vizat të hiqen mbasi të ratifikohet Demarkacioni. Ky propozim asht dhanë të Mërkurën në nji takim njoftues të shefes së Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, me Komisionin për Integrime Europiane.

Gashi ka thanë se problemi i Demarkacionit mund të zgjidhet përmes nji rezolute në Kuvend.

Edhe anëtarja tjetër e Komisionit për Integrime Europiane, Vjosa Osmani, sikur bashkëpartiaku i saj Gashi ka thanë se mund të arrihet nji marrëveshje në mes të partive politike, e cila kishte me u kthy në rezolutë të Kuvendit e me të cilën konfirmohet angazhimi i Kosovës për ta përfundue Demarkacionin e kufinit me Malin e Zi, në mënyrë që, simbas Osmanit, kjo rezolutë t’i hapë rrugë vendimit për liberalizimin e vizave.

“Atëherë kishim me ja caktue vetvetes nji afat, për shembull, që mbrenda gjashtë muejsh të ratifikohet marrëveshja. Ky dokument mandej kishte me i shërbye Komisionit Europian dhe Këshillit që të bante nji votë kushtëzuese, pra të votonte pro heqjes së vizave, me kushtin që ajo të hynte në fuqi, pra që lëvizja e lirë të fillonte vetëm mbas ratifikimit të Demarkacionit”, asht shprehë deputetja Osmani.