E thonë të gjithë: Kosova nesër merr rekomandimin pozitiv

Mbas nji pritje të gjatë, e të vlerësueme si të padrejtë nga shumica e lidershipit aktual në vend, Kosova pritet me marrë nesër rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.

Lajmin pritet me e dhanë zyrtarisht në Prishtinë, Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, e cila t’Ejten ka me ardhë në vendin tonë.

E përveç Kryeministrit Isa Mustafa, i cili ka paralajmërue nji konferencë të përbashkët për media me këtë rast, edhe Kuvendi i Kosovës asht angazhue maksimalisht për këtë, tue caktue për t’Ejten në orën 16:00, nji seancë solemne.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK’s, Ismet Beqiri gjeti foltoren e Kryesisë së Kuvendit për me urue anëtarësimin e Kosovës në UEFA, si dhe praninë e Mogherinit në seancën e të Ejtes.

E nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pati edhe nji thirrje të veçantë për deputetët e opozitës, për me marrë pjesë në seancë, kërkesë e cila u pranue mejiherë nga koalicioni AAK-NISMA.

Shefi i grupit parlamentarë të AAK’s, Pal Lekaj i tha Televizionit Rrokum përmes telefonit se bashkë me Nismën, kanë me marrë pjesë në seancë. Lekaj tha se nuk di nëse edhe Vetëvendosje ka me qenë prezente.