EKSKLUZIVE: Per Rrokum shkruen shefi i kabinetit te Fadil Hoxhes – Ramadan Marmullaku: Ai meriton ma shumë se nji përmendore!

Ne kontekstin e polemikave qe po paraqiten aty-ketu per figuren e Fadil Hoxhes, dhe qe po perpiqen me pengue dhe pamundesue vleresimin e punes dhe figures se tij, ne Televizionin Rrokum erdhi para nji kohe reagimi ekskluziv i ish-shefit te kabinetit te zotit Fadil Hoxha, Ramadan Marmullaku.

Zoti Marmullaku sot jeton ne Slloveni si pensionist, por ka qene njeriu ma i afert i tij per shume vjet, dhe deshmitari i shume vendimeve qe Fadil Hoxha i ka marre ne Beograd.

Qe çka shkruen e thote ai per figuren e Fadil Hoxhes:

 

Ramadan Marmullaku

Më 20 prill të këtij viti do të mbushen pesëmbëdhjetë vjet nga  vdekja  e  Fadil Hoxhës, njërit ndër organizatorët më të njohur të luftës antifashiste nacional-çlirimtare në Kosove dhe  njërit ndër udhëheqësit më të lartë kosovar dhe të shtetit jugosllav pas mbarimit të lutës së dytë botërore.
Për figurën e tij politike  dhe atdhetare është debatuar dhe shkruar në të kaluarën shumë, por dhe sot. Shumë shkrime për jetën dhe veprimtarinë e tij janë shkruar nga analist, historian, shkrimtarë e autorë të cilët varësisht sipas botëkuptimeve dhe pozicionimeve të tyre politike dhe sociale karshi sistemit dhe rrethanave të asaj kohe lirisht  i  grupojmë në dy taborë,  pro Fadil Hoxhës dhe kundër  tij.
E ndjej obligim të jap mendimin tim si bashkëpunëtor i tij, apo edhe një përgjigje për gjithë ata të cilët edhe sot pas pesëmbëdhjetë vitesh nga vdekja e Fadil Hoxhës, shkruajnë  për të si ai gjoja ka qenë “një kriminel  jugosllav” ose si  “spiun i Enver Hoxhës”  dhe nuk e lënë të pushojë i qetë në varrezat e Gjakovës.
Në vitin 1967 si i diplomuar në Universitetin e Lubjanës  u ktheva në Kosovë. Atë kohë, Fadil Hoxha si kryetar i Kuvendit të Kosovës, më  thirri dhe më ofroi që të i bashkohem si nëpunës i tij i parë,  apo shef i kabinetit. Fakti që një udhëheqës komunist i asaj kohe ishte i interesuar që gjeneratave të reja dhe intelektuale tu jepet vendi i merituar dhe mos të largohen jashtë Kosovës, shpreh vizionin e tij për çështjen kombëtare, veti kjo të cilën sot në Kosovën e pavarur nuk e kanë politikanët shqiptarë të sotëm. Prej fillimit të rrugëtimit tim politik dhe diplomatik nga viti 1970 kur kalova  në Komitetin Qendrorë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, pastaj në vitin 1974 në Ministrinë e punëve të jashtme të Jugosllavisë deri në vitin 1988, kur në mënyrë demonstrative lëshova punën për arsye të politikes antishqiptare të udhëheqjes jugosllave, gjithmonë gjeta përkrahje morale dhe vëllazërore nga ai dhe mbeta mik i  afërt i tij.
Në shkrimin e tij Esat Myftari nga Tirana, e akuzon  Fadil Hoxhën dhe pjesërisht  edhe Enver Hoxhën,  për shumë krime që kanë ndodhë gjatë luftës nacional çlirimtare, apo pas luftës në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Jugosllavi dhe Shqipëri, citoj: “krimi” në fshatin Hereq, lufta në Drenicë, krimet në Pejë, masakra e Tivarit, sabotimi i Kosovës republikë, revolta e vitit 1981 etj«.
Unë do ti përgjigjem shumë shkurt Esatit duke ia rikujtuar se Fadil Hoxha ishte një ndër organizatorët kryesorë të luftës antifashiste nacional-çlirimtare në Kosovë, gjatë luftës së dytë Botërore, dhe se natyrisht ishte për bashkëpunim në mes partisë komuniste të Kosovës dhe Shqipërisë, po ashtu ai ishte organizator i Konferencës së Bujanit dhe rezolutës për bashkimin e Kosovës me Shqipëri. Ai gjithashtu ishte luftuar i rreptë për mbrojtjen e identitetit të Kosovës në atë kohë, pas inkuadrimit të saj në Jugosllavi, pjesëmarrës i Konferencës së dytë të Këshillit nacional-çlirimtar të Kosovës në Prizren, ku është reviduar rezoluta e Konferencës së Bujanit dhe është aprovuar vendimi që Kosova ti bashkohet Jugosllavisë.
Si luftuar i devotshëm dhe udhëheqës i aradheve partizane kosovare, lufta e tij ishte kundër  okupatorëve italian dhe atyre gjerman, por natyrisht gjatë luftës ka luftuar edhe shërbëtoret e regjimeve fashiste. Pas mbarimit të luftës së armatosur, dhe me vendosjen e pushtetit të ri  në Kosovë, Fadili është ndër udhëheqësit më të lartë politik të Kosovës të asaj kohe, me meritë.
Krimet dhe padrejtësitë e ndryshme që kanë ndodhë në Kosovë pas luftës, apo edhe gjatë saj i kanë vendosë gjyqet ushtarake e më vone edhe ato civile.  Është tjetër çështje  ajo se sa ato gjyqe kanë qenë antishqiptare për arsye të konfliktit shqiptaro-serb dekada me radhë dhe vrasjeve të ndryshme që kanë ndodhë në kohën e okupimit të Kosovës. Ato gjykime apo vendime gjyqësore  mund të revidohen apo të shqyrtohen.
Fadil Hoxha ka vepruar dhe punuar gjatë gjithë jetës së tij që konfliktin shqiptaro-serb në Kosovë i cili është i vjetër mbi një shekull, ta zgjidhim me mjete politike dhe me mirëkuptim, duke përfshirë edhe opsionin që Kosova pas ngadhënjimit të revolucionit socialist ti bashkohet Shqipërisë. Por ky opsion nuk ka ardhur në konsideratë, prandaj është dashur të gjendet rrugë tjetër: si të  zgjidhet çështja kosovare dhe shqiptare në kuadër të Jugosllavisë?
 Në  bazë të Kushtetutës së Jugosllavisë të vitit 1974 Kosova, de facto dhe de jure ishte »republikë« por vetëm emrin që nuk e kishte për arsye të kontekstit të brendshëm dhe po ashtu edhe të ati të jashtëm.  
Ajo që kishim arritur në Jugosllavi deri në vitin 1981 në ndërtimin e subjektivitetit të Kosovës, është ndër elementet kryesore që pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në vitin 1999 Aleanca Veri-atlantike (NATO) në krye me SHBA-të ndërmori intervenimin humanitar në Kosovë  dhe ndihmoi luftën  e  UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga Sërbia…