Ekspertë të BE’s vijnë në Kosovë për me vlerësue a janë përmbushë krejt rekomandimet për liberalizim të vizave

Me 18 Dhetor 2015, Komisioni Europian publikoi raportin e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ky raport ka konstatue se nga gjithsejtë 95 kritere të Udhërrëfyesit, 87 janë zbatue plotësisht, derisa ka dhanë rekomandime për 8 kritere që janë vlerësuar si të plotësueme pjesërisht.

E për me vlerësue se a janë përmbushë krejt këto rekomandime, me 17 dhe 18 Mars në Kosovë ka me qëndrue nji mision vlerësues i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE’s, njofton Ministria e Integrimeve.

Misioni vlerësues ka me qenë i përbamë nga katër ekspertë nga shtetet anëtare të BE’s dhe zyrtarë të Komisionit Europian. Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos i cili pritet me realizue vizitën e paralajmërueme në Kosovë për me u njoft ma afër me progresin e bamë në adresimin e kritereve të fundit për me rekomandue mandej heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Raporti i dhjetorit 2015 që Komisioni Evropian e ka quajtur të fundit në këtë proces, përcakton katër prioritetet kyçe për periudhën e mbetur të dialogut për liberalizimin e vizave që përfshinë: 1). Transferimin e një numër të mjaftueshëm të gjykatësve në departamentet e krimeve të rënda të gjykatave themelore; 2). Ndërtimin e një historiku të hetimeve, vendimeve të gjykatës dhe konfiskimeve në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar; 3). Sigurimin për pavarësisë operacionale të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik; dhe 4) Demonstrim se legjislacioni për procedurat e ndryshimit të emrit është zbatuar. Po ashtu, Komisioni Evropian kishte përcaktuar katër kritere të cilat do të monitorohen, përgjatë kësaj periudhe, përkatësisht: Progresin në ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në shpenzimin e fondit për riintegrim; adresimin e arsyeve për shkallën e ulët të njohjes për azil-kërkuesit; dhe në sigurimin e objektit dhe pavarësisë financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit”, thuhet në njoftimin e MIE’s.

Ministria për Integrim Europian ka koordinue procesin dhe bashkë me institucionet tjera përgjegjëse, i kanë ba pregaditjet e nevojshme për me pritë misionin vlerësues dhe për me i prezantue tana masat e ndërmarra në zbatimin e 8 rekomandimeve të fundit në këtë proces.