Ekstradohet në Shqipni aktivisti i VV: 2 vjet pa të drejtë me hy në Kosovë

Tre policë civilë gjatë ditës së sotme në mesditë e kanë arrestue edhe sekretarin e Marrëdhanieve me Jashtë të Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazin. Kështu ka njoftue Lëvizja Vetëvendosje përmes nji komunikate për media. Simbas VV, Abazi asht arrestue në nji kafiteri afër zyreve të VV’s.

Në reagimin e saj, VV kërkonte lirimin sa ma të shpejtë të të gjithë aktivistëve të arrestuem.

Mirëpo Policia e Kosovës ka marrë nji vendim krejt tjetër n’krahasim me atë çka kërkoi Lëvizja Vetëvendosje.

Policia mbas arrestimit të tij dhe mbajtjes në stacionin policorë kanë vendosë që me deportue për në Shqipni, tue ia mohue hymjen në Kosovë për 2 vitet e ardhshme. Këtë e ka ba të ditun vet Vetëvendosje, simbas së cilës janë ba shkelje ligjore në vendimin e marrë. Në vendimin e Policisë thuhet se i arrestuemi Boiken Abazi asht fut në mënyrë ilegale mbrenda territorit të Kosovës, gja të cilën e kundërshton VV. Simbas këaj të fundit, aktivistët nga Shqipnia i asht mohue drejta për me apelue vendimin apo komunikimin me avokatin mbrojtës. VV këto veprime të Policisë i konsiderojnë si shkelje të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Gjithmonë simbas VV’s, pasi që ende s’ka ndonji komunikatë zyrtare prej Policisë, Abazi asht dërgue menjiherë në kufirin Kosovë-Shqipni, ku nga aty kanë me e marrë forcat e sigurisë shqiptare.

Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes, Shqipa Pantina ka ironizue me këtë vendim tue e thanë se e ftojnë Presidentin serb, Tomislav Nikolic ndërsa ia mohojnë qëndrimin në Kosovë nji shtetasi shqiptarë. Ndërkohë gjatë ditës asht arrestue edhe aktivisti tjetër i VV’s, Dren Kukaj i cili kishte shkue në stacionin policorë për me marrë informacione rreth arrestimit të Boiken Abazit.