Eliot Engel lavdon Kosovën për parandalimin e sulmit terrorist ndaj Kombëtares së Izraelit

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkueme të Amerikës, njiherit anëtar i naltë i Komisionit për Punë të Jashtme të këtij institucioni, Eliot Engel, ka lavdërue Kosovën për parandalimin e nji sulmi terrorist të militantëve të grupit Shteti Islamik ndaj kombëtares së Izraelit në futboll.

“I jap duertrokitje autoriteteve të Republikës së Kosovës për parandalimin e nji varg sulmesh të planifikueme terroriste nga ekstremistët e ISIS’it, tue pengue nji masakër ndaj kombëtares së Izraelit në futboll”, ka thanë Engel nëpërmjet nji komunikate.

“Më kujtohet sulmi brutal ndaj ekipit olimpik izraelit në Munich më 1972, dhe tutem se ky sulm ka mujt me qenë po aq i keq ose edhe ma i randë”, ka shtuar Engel.

“Unë i jam gjithashtu mirënjohës autoriteteve në Shqipni dhe Maqedoni, të cilat kanë bashkëpunue me Kosovën për me parandalue këtë sulm”, ka thanë Engel.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan ka vlerësue se Kosova ka ndërtue nji historik mbresëlanës të luftimit të ekstremizmit të dhunshëm.

“Askush nuk duhet me dyshue në angazhimin e udhëheqësve në Prishtinë për me arritë këtë objektiv, dhe Shtetet e Bashkueme janë me fat që kanë nji partner si Kosova në këtë përpjekje të randësishme”, ka thanë Engel.

Ai ka vlerësue se “tue marrë parasysh historikun e fuqishëm të Kosovës, asht koha të përshpejtohet inkuadrimi i Kosovës në strukturat kyç euroatlantike, përfshi NATO’n dhe Bashkimin Europian”