Emnat e Trump, kush ka me qenë Sekretar i Shtetit dhe i Mbrojtjes. Qe disa kandidatura

Presidenti i zgjedhun Donald Trump asht takue nji ditë ma parë me disa prej kandidatëve për poste të kabinetit të tij presidencial.

Trump ndodhej në kompleksin e tij të pushimeve në Bedminster të New Jersey ku u takue me dy prej mbrojtësve të tij ma të fortë gjatë fushatës, ish-kryetarin e komunës së New Yorkut Rudy Giuliani dhe guvernatorin e New Jersey Chris Christie.

Giuliani nuk ka shumë përvojë në politikën e jashtme, por ka kërkue që të emnohet Sekretar i Shtetit. Ndihmësit e Trump thonë se presidenti i zgjedhun po analizon edhe kandidatura të tjera.

Chris Christie ishte nji ndër 15 rivalët që konkurruen me Trump për emnimin e Partisë Republikane si kandidat në zgjedhjet presidenciale. Mbasi u eliminue nga gara, Christie e mbështeti Donald Trumpin dhe bani fushatë për të.

Ai ishte për disa kohë edhe kryetar i ekipit të tranzicionit për Trump. Por, guvernatori i New Jersey shihet si kandidat me probleme, mbasi nji numër zyrtarësh të administratës së tij u shpallën fajtorë në nji skandal me motive politike në shtetin e New Jersey.

Po sot, Donald Trump njoftoi përmes Twitterit se po shqyrton mundësinë që me emnue gjeneralin në pension James Mattis si Sekretar të Mbrojtjes. /VOA