Enver Hoxha vrau 988 shqiptarë që tentuen me u arratisë

Nji dokument tepër sekret i Sigurimit të Shtetit, i publikuem sot në Tiranë, e që mban datën 20 Nandor 1990, e nxjerr se që nga viti 1944 e deri në vitin 1989, nga regjimi diktatorial në Shqipni janë arratisë 13.692 persona, nga të cilët 988 janë vra në përpjekje për me e kalue kufinin.
Gjysa e tyne, ose 7.211 kishin ikë mbrenda 15 viteve të para të diktaturës, nga viti 1944 deri në vitin 1959, e 208 prej tyne konsideroheshin kriminelë lufte.
Dokumenti mban nënshkrimin e ministrit të Mbrendshëm të asaj kohe, Hekuran Isai, dhe i drejtohet liderit komunist Ramiz Alia, në detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipnisë.
Madje, ky raport thuhet se i asht mbajtë sekret edhe vetë Enver Hoxhës
Raporti erdhi pak kohë mbas ikjes së 4.785 personave në ambasadat perendimore në Tiranë, në 2 Korrikun e vitit 1990. Dokumenti po ashtu tregon edhe për 800 persona të tjerë, që mbasi kishin dalë jashtë Shqipnisë në mënyrë të rregullt me pasaportë e me vizë, nuk ishin kthye ma në atdhe.
Dokumenti përmend nji amnisti të vitit 1959, prej të cilës përfituen nji pjesë e të ikunve, si dhe riatdhesimin e vetëm 60 shqiptarëve gjatë 46 viteve të komunizmit.
Në raport ceken gjithashtu edhe nji numër i madh i shqiptarëve të arratisun, e qe simbas Sigurimit të Shtetit, merren me veprimtari armiqësore kundër Shqipnisë.
Në këtë video shfaqet nji prej personave të shumtë të arratisun nga Shqipnia, Nasi Pavllo. Ai u arratis me 2 Korrik të vitit 1984 nga Liqeni i Shkodrës.
Që prej vendosjes së diktaturës komuniste, në vitin 1944, arratisja nga Shqipnia konsiderohej tradhti ndaj atdheut.
Ky nen, i cili ishte përfshi në ligjin për arratisjet, u shfuqizue me vendimin e Kuvendit të Shqipnisë me 8 Maj 1990.
Mirëpo pamvarësisht këtij shfuqizimi, që e kaloi arratisjen nga vendi jo si tradhti ndaj atdheut, por si kalim i paligjshëm i kufinit, shumë shqiptarë vazhduen me u vra në kufi. Nji nga rastet ma skandaloze ishte ai i Pllumb Pllumbit, 17-vjeçar nga Shkodra, që mbasi u vra në përpjekje për me kalue kufinin, me 16 Qershor të vitit 1990, u shëtit nëpër krejt qytetin, i lidhun me tela mbi nji kamion të hapun të Sigurimit të Shtetit.
Komunizmi ishte në frymën e fundit¸e as këto vrasje nuk ia zgjatën ma jetën.