Erion Veliaj asht kryeministri i ardhshem shqiptar?

 

Erion Veliaj po e projekton veten si njeriu që pret me ia zane vendin Edi Ramës. Ai po i imponohet publikut dhe veçanërisht Partisë Socialiste, si pasardhësi i Ramës në qeveri, sa tue e imituar, aq edhe e rivalizue.

BBC, në një reportazh mbi Shqipnine e sotme, që merr shkas nga përfshimja e vendit tonë në debatin për daljen e Britanisë së Madhe nga BE, e sheh Veliajn si kryeministrin e ardhshëm. “Kryebashkiaku socialist i kryeqytetit, Erion Veliaj, që shihet si kryeministër i ardhshëm, thotë se Europa nuk mund të masë forcat me Rusinë, për avionët e bombat”, thuhet në shkrimin e BBC.

Ndërsa Veliaj, që asht zgjedhe jo rastësisht të pyetet mbi të ardhmen e BE’së dhe thotë: “Është fuqia e butë që e bën Europën atë që është. Nuk ka asnjë avatazh të jetuarit në një ghetto dhe Ballkani Perëndimor është një geto e rrethuar nga Bashkimi Europian… T’i thuash dikujt që është në epiqendër të jetës publike europiane se jeta është më e mirë në stolat e pasmë të Evropës dhe larg vendimarrjes, kjo kërkon shumë besim”.

Investimi i Veliaj për me qenë i pranishëm në mediat prestigjoze botnore asht pjesë e projektit të tij për të krijue profilin e një politikani të naltë përmes optikës së gazetarëve të huej. Në këtë mënyrë ai i imponohet opinionit publik si “i përzgjedhuni nga të huajt” dhe njeriu tek i cili edhe shqiptarët duhet të shohin gjithashtu liderin e ardhshëm. Një rrugë kjo e shkelun ma parë me shumë efikasitet nga mentori i tij, Edi Rama.

Në reportazhin e BBC ai pyetet për çashtje të cilat nuk kanë lidhje me përvojën e tij politike. Veliaj flet për politikën e jashtme, Europën e Bashkuar dhe Rusinë, por përpara se të bëhej kryetar bashkie ka qenë vetëm Ministër i Çështjeve Sociale dhe dikur një aktivist i shoqërisë civile.

Sigurisht që përzgjedhja e BBC për ta intervistuar Veliajn nuk asht rastesi. Por është po aq e sigurtë se BBC nuk ka ba sondazh te shqiptarët për të arrite në konkluzionin se ai shihet vërtet si kryeministër i ardhshëm i vendit.

Fakti që Erion Veliaj merr përsipër me komentue tema për të cilat ka pak ose aspak njohuni të provuara, asht nji tjetër përpjekje e sforcuem e tij për të krijuar imazhin e nji politikani për të cilin ka interes media e huaj dhe për te treguar po vetë ambiciet për me ia zane vendin Edi Ramës edhe në qeveri, ashtu siç bani në bashki.

Krijimi i profilit të politikanit me peshë përmes kësaj skeme asht një kopje e lëvizjeve të Edi Ramës që nga koha kur ishte ministër i Kulturës e mandej  kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Por ndryshe nga Rama që tërhoqi vëmendjen me bojatisjen e fasadave të pallateve me ngjyra të ndezuna, Erion Veliajt i janë dashte vetëm pak muej në krye të Bashkisë për me rivalizu paraardhësin e tij me daljet në mediat botnore dhe ia ka arrite kësaj pa ndonjë bilanc, ose pa ba thuasje asgjë fare në krye te Bashkisë, veç ndërtimit të disa korsive biçikletash me financime të dyshimta.

/lapsi.al/