Eurodeputetët, vërejtje ndaj liderëve politikë kosovarë

Komisioni ndërparlamentar i Stabilizim Asociimit i Kosovës me BE’n ka përfundue takimin në Parlamentin Europian në Strasbourg me miratimin e konkluzave dhe rekomandimeve nga ky takim i parë i kësaj natyre prej kur ka hy në fuqi MSA’ja.

Simbas deputetit nga Kroacia Tonino Picula, i cili ishte edhe bashkëkryesues i këtij takimi krahas zavendëskryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, “diskutimet kanë qenë mjaft të hapuna, shpesh edhe me tone të ashpra polemizuese”, por në “suaza, të cilat janë të kuptueshme dhe të pranueshme për nji debat të hapun parlamentar”.

“Kishim me dëshirue që edhe në Kuvendin e Kosovës me pasë debate të tilla dhe që aty të diskutohen mospajtimet mes forcave të ndryshme politike” ka thanë Picula tue shtue se nji prej rekomandimeve të takimit ka qenë edhe ai që ‘Kosova me tejkalue polarizimin politik, me i ul tensionet dhe me u normalizue puna në Kuvend’.

Në delegacionin e Kuvendit të Kosovës ka qenë edhe deputeti nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rasiq.

Nga ky takim në Parlamentin Europian asht kërkue që të bahen hetime profesionale, objektive dhe të paanshme për vdekjen në burg të Astrit Deharit dhe, nëse vërtetohet përgjegjësi nga ana e autoriteteve, përgjegjësit të japin përgjigje.

Eurodeputetët janë të shqetësuem për situatën ekonomike në Kosovë, mungesën e vendeve të punës për të rijtë, konkurrencën e ulët të ekonomisë dhe politizimin e madh të administratës publike.

Po ashtu, edhe deputetët e Parlamentit Europian kanë kërkue që Kosova me dhanë dëshmi ma konkrete në luftë kundër korrupcionit dhe krimit të organizuem, sepse në këtë drejtim ka shumë pak vendime përfundimtare të gjykatave për rastet e krimeve të organizueme dhe korrupcionit në nivel të naltë.