Europa u çlirue nga nji turp!

Mbas lajmit për liberalizimin e vizave, Presidenti i Republikës, Hashim Thaci, ka kërkue nga kosovarët me iu thanë “mirupafshim” ambasadave.

“Mbas dekadave të izolimit, nuk ka me pasë ma pritje para ambasadave, nuk ka me pasë refuzime. Nuk kemi fitue dhuratë, por kemi meritue liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal.”- ka deklarue Presidenti.

Edhe për Kryeministrin Isa Mustafa, ky vendim i BE’s asht ma i merituemi për qytetarët e Kosovës.

Urime për këtë ditë ka ba edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Edhe ish-Presidentja Atifete Jahjhaga i asht gëzue lajmit për vizat, tu’ e nda edhe me qytetarët.

“Sot Komisioni Europian dërgoi mesazh të fuqishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët tash bahen pjesë e andrrës europiane dhe forcues të vlerave të saj. Urime të gjithëve”- shkruen Jahjaga.

Gjithashtu edhe Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës, ka urue për vizat, tue thanë se tani kosovarët janë të barabartë me qytetarët e Europës. Ai po ashtu ka përgëzue të gjithë ata që kanë kontribue për këtë vendim.

Ndërsa njani nga diplomatët e huej në Kosovë, ambasadori i Amerikës Greg Delawie, vizat i ka cilësue si nji gol të radhës, tu thanë që qytetarët t’i gëzohen kësaj fitore.

Por, Kosovën nuk harroi me urue edhe Shqipnia.

Presidenti i Shqipnisë Bujar Nishani, ka urue Kosovën për këtë hap, dhe shpreson që shumë shpejt shteti i Kosovës të jetë e anëtarsueme edhe në institucionet tjera europiane.

Po ashtu edhe Kryeministri Edi Rama, ka deklarue se BE’ja ma n’fund u çlirue nga nji turp.

“Fill mbas UEFA’s, tjetër lajm i gezueshem per Kosoven: Rekomandimi i Komisionit per heqjen e vizave. Ma ne fund BE-ja po çlirohet nga nji turp!”, – ka shkrue Rama.

Urime vazhdojnë me ardhë edhe nga liderët të tjerë institucionalë e politikë në Kosovë e Shqipni.