Eurovision kërkon falje për flamurin e Kosovës

Festivali Europian i Kangës, “Eurovision” asht tregue racist me shtetin e Kosovës, tue e konsiderue flamurin e saj, si non-grata.

E si mos me mjaftue kjo, menaxhmenti i këtij festivali e ka barazue flamurin e Republikës së Kosovës me atë të organizates terroriste, ISIS, flamurin Bask si dhe ate të Nagorni-Karabakut.

Mirëpo asnjanji prej flamujve të tjerë që janë ndalue në këtë festival, nuk u përkasin shteteve të njoftuna ndërkombëtarisht nga shtetet tjera, ndërsa Kosovën e njohin si të pamvarun mbi 111 shtete.

Madje, Kosova asht njoftë nga 23 prej 28 shteteve anëtarë te Bashkimit Europian, e që prej 1 Prillit 2016, ka të zyrtarizueme e të fuqizuese Marëveshjen e Stabizilim-Asociimit, që asht juridikisht nji marrëdhanie kontraktuale mes shtetit të Kosovës dhe BEs’.

Televizioni Rrokum ka kontaktue me menaxhmentin e këtij festivali, tue i kërkue llogari edhe përgjigje për këtë akt racist nga ana e tyne.

Mirëpo tue iu shmangë pyetjeve tona të drejtpërdrejta, Menaxheri i Komunikimit në “Eurovision Song Contest”, Paul Jordan deklaron për Rrokum se dokumenti ku ndalohej flamuri i Kosovës, nuk ishte për publikim.

“Organizatorët e kuptojnë dhe e pranojnë ndjeshmëninë e paraqitjes së kësaj përzgjedhjeje flamujsh të organizatave dhe territoreve, të natyrave të ndryshme. Organizatorët u kërkojnë falje të gjithë atyne që ndihen të fyem nga lista”.

Tutje në përgjigjen e Eurovision’it, thuhet se ata tashmë kanë kërkue nga faqja e internetit Arena Globe dhe agjencia e shitjes se biletave AXS që me e largue dokumentin që përfshin shembujt e masipërm.

Nga ana tjetër, na kemi provue gjatë tanë ditës që me komunikue me zyrtarët qeveritarë por ka qenë e pamundun. Tue e fillue prej Ministrisë së Jashtme, asaj të Kulturës si dhe Zyrën e Kryeministrit. Ndërkohë kujtojmë se vitin e kaluem, Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, sa ushtrone postin e Zv/Ministrit, jepte deklarata të bujshme se Kosova vitin e ardhshëm ka me qenë pjesë e këtij festviali, tue u përfaqësue edhe me kangë.

I vetmi institucion që ka reague ka qenë Televizioni Publik i Kosovës, e madje edhe ky reagim asht kryesisht për mosmarrjen e të drejtave televizive.