Falja e borxheve veç edhe disa ditë

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftue se qytetarët të cilët dëshirojnë me përfitue nga falja e borxheve të periudhës prej fillimit të vitit 2009 e deri në fund të vitit 2014, kanë afat me ba deri të Ejten më 31 Gusht.

“Personat e këtillë, përveç faljes së tanësishme të borxhit për periudhën deri me 31 Dhetor 2008, kanë me përfitue edhe me faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mospagesa me kohë e borxhit bazë për periudhën 01 Kallnor 2009 deri me 31 Dhetor 2014”, shkruen në njoftimin e ATK’s.

Njoftimi i plotë i ATK:

Edhe pak kohë ka mbetur për të përfituar nga shlyerja e borxhit ndaj Administratës Tatimore të Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës, është duke zbatuar Ligjin Nr.05/L-043 i plotësuar me Ligjin Nr.05/L-0119 për Faljen e Borxheve Publike. Ky Ligj është në fuqi vetëm deri më 01 Shtator 2017, andaj subjektet që mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike sipas këtij Ligji, këtë të drejtë mund ta realizojnë vetëm deri me këtë datë.

Të gjithë personat fizik dhe juridik të cilët kanë borxhe ndaj ATK-së deri më 31 Dhjetor 2008, mund të përfitojnë nga falja e borxhit, nëse plotësojnë kriteret dhe iu nënshtrohen procedurave të parapara nga ATK për faljen e këtyre borxheve.

Administrata Tatimore e Kosovës, ka identifikuar të gjithë personat që kanë obligime të pashlyera dhe që mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike, për periudhën deri me 31 Dhjetor 2008.

Nga falja e borxheve publike për periudhën deri 31 Dhjetor 2008, sipas këtij Ligji përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, me kusht që të njëjtit: të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014. Pagesa e plotë e kryegjësë mund të bëhet deri më 1 Shtator 2017.

Personat e këtillë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri me 31 Dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mos pagesa me kohë e borxhit bazë për periudhën 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014.

Në çoftë se nuk kryhet pagesa e plotë, personat e këtillë mund të lidhin marrëveshje me Administratën Tatimore të Kosovës deri më 1 Shtator 2017, për pagesën e borxheve me këste për periudhën 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014. Në rastin kur arrihet marrëveshja, këta persona, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri me 31 Dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e ndëshkimeve për periudhën 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014.

Personat të cilët lidhin marrëveshje dhe nuk respektojnë kushtet e marrëveshjes, Administrata Tatimore e Kosovës, të njëjtit do t’i vendos në listën e borxheve, duke i bërë obligues për të gjitha borxhet e mbetura sipas kërkesave ligjore që kanë qenë të zbatueshme para lidhjes së marrëveshjes.

Borxhet e pashlyera deri me 31 Dhjetor 2008, ku shuma totale e borxhit bazë është në vlera të vogla prej 1 deri në 100 euro, fshihen në mënyrë automatike.

Kërkesën për pjesëmarrje në programin për faljen ë borxhit publik, mund ta gjeni në zyrën përkatëse regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës.