Familja Gërvalla: LDK keqtrajtoi vajzën tonë ma keq se pushteti serb!

Familja Gërvalla në Kosovë, në Shqipni dhe në diasporë, përmes nji letre asht shpreh tepër e shqetësueme për incidentin e mbramshëm që i ka ndodh Donika Gërvallës, nga si e ka quejt kjo familje, struktura klanore e Isa Mustafës, kryetar i LDK’s.

“Bija jonë mbrëmë po insistonte të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, si kryetare e degës së kësaj partie në Gjermani.

Elementë të klanit të Mustafës, duke e ditur qëndrimin e Donikës për t’ia kthyer dinjitetin kombëtar kësaj partie, ashtu si e kishte në kohën e dr. Ibrahim Rugovës, jo vetëm që nuk e kanë lënë të marrë pjesë në mbledhje, por fizikisht, duke e tërhequr zvarrë, nuk e kanë lënë të hyjë në sallë”, thuhet në reagim, përcjell Koha.net. “Ky incident i parapërgatitur, tepër i rëndë jo vetëm për një femër, na e ka kujtuar kohën e regjimit pushtues serb, për të cilën ka luftuar e tërë familja jonë, duke dhënë madje edhe dy heronj”.

Për familjen Gërvalla, “ky incident jo vetëm që ka nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor të vajzës sonë, por është edhe një sulm i rëndë kundër fjalës dhe mendimit të lirë, të cilat janë vlera themelore dhe universale të një shoqërie demokratike, për të cilën trumbeton se po punon vetë klani i Mustafës”. “Këto vlera qytetëruese, për të cilat punon bija jonë, janë shkelur aq brutalisht në kohën kur e tërë bota ka sytë të kthyer kah shoqëria jonë dhe nga të gjitha veprimtaritë shtetndërtuese të kësaj fryme. Ne si familje me tradita kombëtare me frymë të mendimit të ri shtetëror, kombëtar dhe demokratik, e dimë mirë se kjo frymë është në kundërshtim të thellë me ideologjinë të komunizmit sllav, të cilën e ka në shpirt, si tani, si më herët, e njëjta strukturë që ka sulmuar vajzën tonë, ashtu si ka sulmuar edhe tani edhe më parë vlerat e lirisë të Kosovës, duke përfshirë të gjitha lëvizjet kombëtare dhe çlirimtare, prej viteve të ’80-ta e deri më sot”, thuhet në reagimin e familjes Gërvalla.
Familja Gërvalla, thotë se bashkë edhe me pjesën tjetër të shoqërisë, do të mbështesë edhe më tutje mendimet dhe veprimet, që kanë vlera kombëtare, shtetërore dhe demokratike, kundër të cilave ka ndodhur ky incident.

“Vetëm me këto vlera mund të shkojmë përpara për të ndërtuar shtetin dhe shoqërinë demokratike, në të cilën ka vend shprehja e mendimit të lirë, e pranueshme për tërë qytetërimin evropian dhe botëror”, ka thënë familja, teksa ka pasur një porosi për Mustafën në fund të këtij reagimi.

“Edhe diçka Isë: Në identitetin tonë kombëtar dhe atë historik, femra ka qenë institucion dhe vlerë e paprekshme e shoqërisë sonë. Isë, siç e di edhe ti, familja jonë gjatë gjithë historisë është persekutuar, bastisur, kontrolluar, burgosur, syrgjynosur, terrorizuar me qindra herë nga UDB-ja serbe dhe ajo jugosllave, por edhe ata asnjëherë nuk kanë zbritur në nivelin tënd dhe të klanit tuaj”, thuhet në fund të letrës që mban firmën e Hysen Gërvallës, e shkrueme në Dubrovnik më 21 Maj 2016.

 

donikagervalllaaa