Familjarët e të pagjetunve i kerkojnë princit anglez me i ba presion Serbisë

Princi Charles dhe Dukesha Camilla të cilët po qendrojnë në vizitë dy ditore në Kosovë, n’orët e para të ditës së sotme u pritën nga Presidentja e vendit Atifete Jahjaga.
Në nji takim me dyer të mbylluna Jahjaga dekoroi princin anglez me medaljen urdhni për “Humanizën, paqe dhe demokraci Dr. Ibrahim Rugova”.

Ndërkohë në njoftimin të Presidencës u tha se në takim u diskutue për zhvillimet e gjithmbarshme në vend, përfshi ruejtjen dhe promovimin e tolerancës ndërfetare, parandalimin e dhunës sekuale gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe vazhdimin e reformave për krijimin e mundësive të reja për të rinjët e vendit.
Presidentja Jahjaga theksoi se vizita e Naltmadhnisë së Tyne në Kosovë rikonfirmon lidhjet e veçanta dhe të fuqishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretnisë së Bashkueme ata diskutuen për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, për përparimin e Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik si dhe për njohjen e tij ndërkombëtare.

 

Presidentja theksoi se përkrahja e Britanisë së Madhe në këtë proces ka me vazhdue me qenë e randsishme, thuhet në njoftim.

Mbas takimit çifti mbretnor vizitoi memorialin për Persona të Pagjetun, ku vendosi buqeta me lule.

Princi anglez u tregue shumë I afërt me familjet e të pagjetunve të cilët kishin dalë me pritë, tue i dëgjue me kujdes ato që familjarët e të pagjetunve patën për me i thanë.

Gratë nga shoqata “Thirrjet e Nanave” i kërkuen Princit për me i ba presion Serbisë për me i kthye të pagjetunit dhe me i vendosë përgjegjësit e këtyne krimeve para drejtësisë.

Nën masa të rrepta sigurie, princi u nis drejt bazës së KFOR’it në Film City ku u prit me nderime të nalta ushtarake.

Ai vendosi kunora edhe te memoriali I ushtarëve britanikë.

E derisa eskorta mbretnore nisej drejt Prizrenit, në qytetin e vjetër të Kosovës tashma janë ba pergaditjet për këtë vizitë.