Fatmir Limaj kallxon se kush e vrau Enver Malokun dhe e plagosi Sabri Hamitin!

limaj

Deputeti Fatmir Limaj ka thanë se nuk mbanë përgjegjësi për vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxhës e Selman Binishit.

Përgjegjësinë ja ka hedh anëtarëve të Shtabit të UÇK’s.

Për këto vrasje Limaj ka fol në Hagë. Ai ka zbulue po ashtu se kush e kishte plagos Sabri Hamitin e kush e kishte vra Enver Malokun.

Fatmir Limaj, i ka ba pergjegjës Shtabin e Përgjithshëm të UÇK’s për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Kryetari i Nismës për Kosovën, asht marrë në pyetje t’Ejten në Prokurori si i dyshuem për krime lufte.

“Kemi qenë të ftuem nga Prokuroria për të sqarue nji rast nga lufta çlirimtare. Nga deklarimet e mija shpresoj që ta kem ndihmue drejtësinë dhe shpresoj që fajtorët të dalin para drejtësisë”, ka thanë ai.

Mbas daljes nga Prokuroria, Limaj ka thanë se për këtë çashtje ka folë në Hagë.

Insajderi sjell deshminë e Limajt të dhanë në Gjykatën e Hagës më 23 Maj 2005.

Prokurori: Jakup Krasniqi, që ishte përgjegjës për disa nga komunikatat, dëshmoi se asnjëherë në komunikata nuk ka pasur përcaktim se kush ishte caku (i vrasjes v.j.).

Limaj: Në komunikata nuk ishte përcaktuar se kush duhet të vritej e kush jo, por kur kryhej akti shihej nëpërmjet komunikatave se kush ka qenë ai, pastaj edhe njerëzit e rajonin që e njihnin, kishte përkrahje për atë.

Prokurori: Dëshmua juaj është se UÇK-ja bazohej në njerëzit që e njihnin individët dhe këta në fakt ishin njerëzit që punonin për UDB-në sepse në komunikata nuk e thanë këtë, apo jo?

Limaj: Jo, e ke përpara, p.sh., Enver Bajgora ishte inspektor i Policisë… ka raste të tilla plotë.

Prokurori: A ju kujtohet ndonjë shembull tjetër?

Limaj: Lutfi Ajazi, kujtoj është i plagosur. Tash del se ka marrë pjesë në atentate, në masakra. Bile tash kam kuptuar se Sabri Hamitin e ka plagos ai, pastaj Enver Malokun, ai ka marrë pjesë në përgatitjen e vrasjes së tij. Janë këto misterioze edhe sot. Ka plotë.

Prokurori: A mundesh ndonjë shembull tjetër ta merrni që është vrarë për këtë arsye, për shembull?

Limaj: Është e vështirë, por pastaj mund të jetë Zymber Zymberi. Po ashtu ai ka marrë pjesë në përgatitjen e këtyre aksioneve kundër intelektualëve të Kosovës. Është edhe dëshmia që ka dhënë inspektori i UDB-së. Prokuroria ka pasur mundësi të ngre padi…, unë po flas për disa raste publike dhe janë raste konkrete që të tregojnë se cili është orientimi.

Prokurori: Z. Limaj, tani po na thoni që në disa raste bashkëpunëtorët ishin vrarë sepse ata në mënyrë sekrete ishin pjesë e Policisë dhe UDB-së, apo jo?

Limaj: Ka njerëz që kanë zhvilluar operacione të ndryshme siç është rasti i Lufti Ajazit. Edhe sot në Kosovë mendojnë dhe nuk e din se kush e ka bërë. Unë këtu e kam kuptuar këtë. Mendoj se UÇK-ja e ka ditë mirë derisa ka marrë një aksion kundër dikujt.

Prokurori: Kjo është e pavërtetë z. Limaj. Le të flasim për Ramiz Hoxhën dhe Selman Binishin. Ata u vrarë më 2 tetor 1998 apo jo? Po tundni kokën. Ramiz Hoxha ishte nga Bellanica dhe Selman Binishi nga Banja.

Limaj: Po.

Prokurori: Më 2 tetor 1998, këta fshatarë ishin në Brigadën 121 apo jo?

LImaj: Në këtë kohë ishte ende rikonstruktimi i Brigadës dhe kjo ishte paraparë të jetë në këtë brigadë, është e vërtetë.

Prokurori: Përgjigja është po apo jo?

Limaj: Po, po.

Prokurori: A ishin në Brigadë apo nuk ishin?

Limaj: Nëse më lini ta sqaroj, po e sqaroj. Ata ishin në këtë brigadë, por ofensiva e gushtit kishte bërë një shpërndarje. Njësitet dhe një pjesë e madhe e ushtarëve ishin larguar dhe duhet një ristrukturim i ri.

Prokurori: Më falni, por më 2 tetor 1998, disa muaj më vonë këto fshatra ishin në Brigadën 121. Në fakt, djali i Ramiz Hoxhës, Enver Hoxha ishte ushtar i Brigadës 121, apo jo?

Limaj: Ende vazhdonte ristrukturimi i njësive, ndërsa fshatrat që po thoni ju kanë qenë nën mbikëqyrjen e forcave serbe. As në Bellanicë, e as në Banjë, për arsye se forcat serbe e kontrollonin këtë, nuk ka qenë territor i kontrolluar nga UÇK-ja në atë kohë.

Prokurori: Po përfshihej në zonën e Brigadës 121. Tani Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi nuk punonin për policinë serbe, a është kështu?

Limaj: Selman Binishi është shok shkolle, imi dhe kemi qëndruar mirë dhe më ka ndihmuar shumë. Kemi qenë edhe në vizita të njeri-tjetri dhe asnjëherë nuk kam dëgjuar se ai ka qenë bashkëpunëtor i serbëve dhe kur është vrarë kam dëgjuar. Sa i përket Ramiz Hoxhës nga Bellanica kemi qenë një fshat i familjarizuar. Ramizin e kam njohur sepse ka qenë nip i fshatit tonë.

Prokurori: Anëtar i Policisë a ka qenë?

Limaj: Asnjëherë.

Prokurori: Para se të pushkatohej më 2 tetor, ai ishte një prej 9 burrave që përfaqësonte fshatin e tij në negociata me forcat serbe?

Limaj: Nuk e di sa kanë qenë, mund të jetë që edhe Ramizi të ketë qenë një nga ata njerëzit, por rastin e di.

Prokurori: Dhe më 2 tetor ata janë kidnapuar në fshatrat e tyre, janë marrë me makinë dhe janë ekzekutuar. Ramizin e kanë prerë në fytyrë dhe Selmanit ia kanë çarë kokën?

Limaj: Nuk është e vërtetë. Unë të paktën nuk i kam parë sepse i kam parë të dy kufomat.

Prokurori: Vetëm kaq, ishin godit me armë?

Limaj: S’kam parë gjë tjetër vetëm që ishin të ekzekutuar dhe nuk ma merr për pozicionin që kanë qenë, përveç plumbit…, nuk kam hetuar diçka tjetër. Ndoshta ata që i kanë marrë kufomat e dinë më mirë. Unë nuk dua të spekuloj, por kam parë kështu.

Prokurori: I keni parë nga afër trupat?

Limaj: Ishte një lloj shoku, por e di që njeri nga të afërmit e Ramizit e ka kthyer trupin e tij. Tash nuk kam parë gjëra siç thatë ju. Unë personalisht jo.

Prokurori: Afër trupave të tyre ishte lënë një shënim, ishte nga UÇK-ja, nga Qendra e Shërbimit Sekret policor. Është një urdhër për ekzekutim, për bashkëpunëtorët, për propagandë dhe përhapje paniku dhe urrejtje. I dënojmë me vdekje në emër të popullit. E njëjta do t’ju ndodh edhe të tjerëve. Pra, nuk është e vërtetë që ndodhte vetëm me punëtorët e Policisë?

Limaj: Nuk mund të flas para se ju të më lejoni të shpjegoj të tërën. Letrën e kam parë edhe unë afër tyre, një letër e thjeshtë, një shkrim që as analfabeti nuk shkruan ashtu. Por, për t’u përgjigjur duhet t’i shkojë deri në fund, për atë kohë që e di për këtë rast sepse ka pasur shumë spekulime.

Prokurori: Kam interes të di përgjigjen tuaj të plotë, por kjo është bërë nga UÇK-ja apo jo? Ju na thatë që asnjë prej këtyre personave nuk kishte punuar për Policinë?

Limaj: Për hir të asaj që e di, asnjëherë deri në atë kohë për këta dy nuk kam dëgjuar se kanë qenë anëtarë të Policisë serbe. Ramizi ka qenë i vjetër, nuk e di për të. Ndërsa Selmani për të cilin nëse ju kujtohet kur ju thash se kam qenë te një mik.

Prokurori: Po ndryshoni temën. Të flasim për këtë, ajo që thatë më herët nuk ishte e vërtetë që bashkëpunëtorë ishin vetëm ata që punonin për serbët?

Limaj: Derisa t’i shkoj deri në fund të rastit.

Prokurori: Pse s’na jepni përgjigje pastaj shpjegimin?

Limaj: Për arsye se mua qysh më kanë informuar, këta njerëz kanë pasur të paktën një rast. Unë jam interesuar bile për Selmanin se pse çka ka bërë. Dhe nga kjo kam ardhur te një informacion që mendoj se duhet ta them sepse…

Prokurori: Ju jap mundësinë, por më vonë. Nuk keni menduar që ata kanë punuar për Policinë serbe apo jo?

Limaj: Kam mësuar për një rast dhe mendoj atë ta them këtu sepse ka të bëjë drejtpërdrejtë me Policinë serbe.

Prokurori: Të shikojmë njëherë mënyrën se a ka përshkruar UÇK arsyen se pse është vrarë. Ka pasur disa artikuj gazetash në komunikatë më 5 tetor ‘98 në “Koha Ditore”. Në këtë komunikatë thuhet se sipas Shërbimit Informativ të UÇK-së, në veprimin e tyre kundër UÇK-së personat e mësipërm kanë bërë propagandë në favor të dorëzimit të armëve në bashkëpunim me Ramiz Hoxhën dhe Selman Binishin. Këta janë ekzekutuar nga UÇK-ja. Këtu nuk thuhet asgjë për veprimtarinë e Selmanit. Ata nuk janë ekzekutuar që kanë punuar për Policinë serbe apo jo?

Limaj: Në atë kohë unë kam bërë presion te Shtabi i Përgjithshëm që të marrë informacione, të dijë se si ka ndodhur vrasja e këtyre njerëzve që njihja dhe ishin në territorin që do ta merrja si Brigadë. E kishim tani kufirin dhe aty nuk mund të bëhej pa e ditë unë.

Avokati Mensfield: Atij ju premtua që t’i jepej rasti të shpjegoje.

Gjykatësi Parker: Po, e di.

Prokurori: Shpjegojeni z. Limaj!

Limaj: Ndoshta do të ishte mirë të jemi në seancë private, por mua nuk më pengon asgjë, por duke pasur konsideratë emrat sepse është rast dhunimi, hirësi e nderuar. Nëse doni ju mund ta them hapur.

Prokurori: Unë nuk e di se çfarë do të thuhet, por më mirë që të jemi të sigurt, të hyjmë në seancë të mbyllur.

(Mbyllet seanca)

Prokurori: Z. Limaj, dëshmia juaj është që kur keni folur me Sokol Bashotën, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin, ata nuk ju thanë që kjo ishte arsye e vrasjen, por nga Mensur Zymberi e morët vesh. A është kështu?

Limaj: Unë kam kërkuar që këtë taku dhe…

Prokurori: Faktikisht UÇK-ja e ka marrë përsipër vrasjen e këtyre, a është kështu?

Limaj: Më vonë ka ardhur deri të informacionet dhe e ka marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm.

Prokurori: Dëshmia juaj është se ata e lëshuan këtë komunikatë që të mbulojnë të vërtetën apo jo?

Limaj: Rasti është i tillë dhe nuk donin që të përfshihen në lidhje të tillë sepse ishte poshtëruese që të paraqiteshin lidhjet e shqiptarëve në nivel të tillë.

Prokurori: Shënimi që ishte lënë aty afër nuk ishte pjesë e këtij mbulimi?

Limaj: Letrën e kam parë vetë, është e vërtetë.

Prokurori: Dhe kjo siç e thatë ju, ishte brenda brigadës suaj. A keni bërë ndonjë gjë tjetër ju vetë për ta hetuar rastin?

Limaj: Siç thanë kur e ka marrë Shtabi i Përgjithshëm përsipër këtë, unë e kam konsideruar se nuk më takon kjo çështje, s’ka qenë përgjegjësi e imja sepse e dija që ne nuk kishim asnjë lidhje me ta.

Prokurori: Ishte një akt i kryer nga ushtarë të UÇK-së në zonën tuaj?

Limaj: Nuk ishte në zonën time. Njerëzit ishin marrë në zonën time dhe ishin larguar në një territor tjetër.

Prokurori: Për faktin se ata ishin marrë në territorin tuaj dhe u vranë diku tjetër ju thatë se nuk kishin pse merreshit me këtë ajo jo?

Limaj: Unë e kam bërë hetimin derisa s’e ka marrë në përgjegjësi dikush. Pastaj unë e kam menduar se diçka është e kryer në raport me mua dhe përgjegjësia është diku tjetër. S’kam mundur të bëjë më tepër atë kohë.

Prokurori: A keni shkuar të flisni me familjet e tyre?

Limaj: Po, normalisht.

Prokurori: Më kë keni folur?

Limaj: Nëse nuk gaboj, të nesërmen kam shkuar te familja e Selmanit. Jam takuar më vëllezërit dhe prindërit dhe më kanë pyetur se çka u bë edhe unë ju thash se as nuk e di. Babai më ka thënë: a e dini a i ka bërë dikujt keq. I kam thënë se nuk e di, sa e di unë jo.

Prokurori: Pasi morët informacione nga Mensur Zymberi, a keni shkuar sërish te familja e Hoxhës dhe Binishit (Për informacionet e marra nga Mensur Zymberi, Fatmir Limaj ka dëshmuar në seancë të mbyllur v.j.)?

Limaj: Pasi e ka marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm, nuk kam shkuar më.

Prokurori: Askush nuk i hetoi këto pretendime?

Limaj: Unë i kam kryer të miat, më tepër s’kam mundur të bëjë.

Prokurori: Nuk mund të bënit më shumë apo vendosët se nuk mund të bënit?

Limaj: Ju nuk e dini se si ka qenë në atë kohë. Ka qenë një konfuzion total. Mendoj se kjo ka qenë lëvizje e parë pas atyre që kishin ndodhur në gusht.

Prokurori: Do t’ju ndërpresë sepse po flisni për vetën tuaj dhje unë dua të flas për këto familje, pra askush nuk shkoi atje? Një vit më vonë Enver Hoxha, botoi një artikull ku thotë se s’ka pasur gjyq, asnjë lloj procedure gjyqësore, kjo është e vërtetë, nuk është bërë kurrë asnjë hetim?

Limaj: Unë nuk e di…

Prokurori: Dhe e vërteta është që këta burra janë vrarë për arsye që përmendet këtu, pra nuk janë vrarë për arsye që thatë ju, por se nuk ishin besnikë të UÇK-së. Kjo është në letrën e lënë aty?

Limaj: Nuk mund t’i besoj sepse kam më shumë arsye t’ju besoj ushtarëve që kanë qenë aty sepse derisa ju thoni për sqarimin e hetimit në atë kohë ata njerëz kanë qenë të rajonit tjetër. Prandaj, kjo më ka bërë t’ju besoj atyre më shumë ngase kanë qenë të një rajoni tjetër.

Prokurori: Të shikojmë komunikatën dhe për këtë qëllim dua t’ua japim provat materiale. Do të drejtojmë vëmendjen në faqen e parë të dokumentit. Këtu kemi një komunikatë nga maji ‘97, besoj është koha kur keni qenë në Zvicër apo jo?

Limaj: Po.

Prokurori: Do të fokusohemi në fjalinë e dytë në një komunikatë shtypi numër 33 që thotë se vrau Hetem Dobrunën në Llozicë në fillim të majit për shkak të bashkëpunimit të hapur me autoritetet serbe. Nuk ka asgjë në këtë komunikatë që thotë se ka punuar me UDB-në, apo jo?

Limaj: Jo, nuk e kam të qartë. Unë mendoj se ka në komunikata, p.sh. Ramiz Lekun kam dëgjuar që pandërprerë ka marrë pjesë në bastisjen dhe vrasjen e bashkëkombësve të vetë, ndërsa për Ali Qallapekun nuk kam dëgjuar. Ramizi ka qenë i njohur nga të gjithë, por komunikatat varen nga kush janë shkruar.

Prokurori: Punonte ai për Policinë serbe?

Limaj: Po, gjithmonë ka marrë edhe rrogën e tyre. Vendësit e tij kështu kanë thënë, njerëzit që e kanë njohur shumë mirë.

Prokurori: Nga e morët vesh këtë?

Limaj: Pas marsit u bisedua. Kam shkuar në Baicë të Drenicës nga është edhe Leku. Familjen e Rasim Kiçinës ai e ka rrahur dhe e ka burgosur, për atë më kujtohet.

Prokurori: Kur ju e patë këtë komunikatën në gusht 97, a e dinin në atë kohë?

Limaj: I besoja UÇK-së. Normalisht i kam besuar se UÇK-ja ka dalë që të luftojë për liri, e jo për të vrarë shqiptarë.

Prokurori: Nuk varej nga kush i shkruante komunikatat siç thatë ju, por kush ishte personi që ishte vrarë. Disa njerëz u vranë që kishin qenë në Polici dhe të tjerë vetëm se i flisnin Policisë, shumica pasi që ishin parë si të dyshuar. Është e saktë?

Limaj: Nuk e përjashtoj. Kanë mundur të ndodhin edhe akte të tilla, por pjesa dërmuese, kemi parë në komunikata se kanë marrë pjesë në raste. Nuk mund ta përjashtoj mundësinë, por në atë kohë unë kam besuar se janë duke e bërë në njerëz të duhur. Malisheva ka 53 fshatra, pse s’u bë deri në shtator 98 asnjë rast i tillë? Unë po them që ka pasur të tillë që kanë hëngër dhe pirë në kafe me serbët. Unë s’kam parë në fshatrat tona që u vra dikush pse piu apo hëngri me serbët. 53 fshatra i ka Malisheva, pse nuk ndodhi, për ata edhe e mbështeti qëndrimin tim. Po të kishte parë që po vritej një njeri i pafajshëm, të paktën ai rreth e kishte ditë që nuk është në rregull. Reagimet e mëtejme tregonin se ata njerëz nuk kanë qenë siç po mendoni ju zoti prokuror./Insajderi.com/