Federata e Saint Kitts and Nevis heq vizat për Kosovën

Në nji ceremoni rasti të organizueme në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, asht nënshkru marrëveshja për vendosjen e marrëdhanieve diplomatike, si dhe marrëveshja për lëvizje pa viza në mes të Republikës së Kosovës dhe Federatës së Saint Kitts and Nevis.

Simbas nji komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Saint Kitts dhe Nevis do të forcojnë marrëdhaniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit ndërshtetnor.

Palët janë pajtu gjithashtu të vazhdohet tutje me intensifikimin e komunikimit politik dhe mbështetjen reciproke në marrëdhaniet e përgjithshme ndërkombëtare.

“Përfaqësuesi i Përhershëm i Federatës së Saint Kitts and Nevis në Kombet e Bashkueme, Sam Terrence Condor, asht zotu se do të ushtrojë ndikimin e tij dhe të qeverisë së shtetit që ai përfaqëson në procesin e lobimit për njohje të reja nga vendet e Karaibeve, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Marrëveshjet janë nënshkru nga i Ngarkuemi me punë në Konsullatën e Përgjithshme në New York, Ylber Kreziu, dhe përfaqësuesi i Përhershëm i Federatës së Saint Kitts and Nevis në Kombet e Bashkueme, Ambasadori Sam Terrence Condor”, thuhet në komunikatë.

Mbas kësaj marrëveshjeje, arrinë në 80 numri i shteteve me të cilat, Kosova ka hy formalisht në marrëdhanie diplomatike.