Ferrarese: Kosova mundet dhe duhet me u ba nji vend i lumtunisë dhe shpresës

Ambasadori i Italisë, Andreas Ferrarese në nji artikull autorial shpreh lavdata për marrëdhanien mes Italisë dhe Kosovës.

Opinioni i plotë ambasadorët Andreas Ferrarese:

Si ambasador i Italisë në Prishtinë do të doja të përfitoj nga rasti i 70-vjetorit të Republikës Italiane për të adresuar marrëdhëniet në mes Italisë dhe Kosovës dhe për të falënderuar të gjithë miqtë dhe kolegët e nderuar me të cilët kam pasur mundësinë të bashkëpunojë gjatë tri viteve të fundit.
Më 2 qershor 1946, populli italian votoi në një Referendum, i cili pati ndikim të relevant në historinë e Italisë. Në fakt, ai shfuqizoi monarkinë dhe themeloi Republikën Italiane. Vendi u përball me një vendim të rëndësishëm; klima politike ishte e stuhishme dhe u zhvillua një debat i nxehtë. Tranzicioni drejt një republike të lirë nuk ishte aspak i lehtë. Kur Italia doli nga Lufta e Dytë Botërore situata ishte e tmerrshme. U dashtë një kohë shumë e gjatë që vendi im të kapërcente problemet e tij dhe të arrinte një zhvillim të rëndësishëm si në aspektin politik ashtu edhe në fushën ekonomike. Unë jam i bindur se populli i Kosovës do të tregojë të njëjtën vendosmëri dhe këmbëngulje në ndjekjen e rrugës së tij.
Kjo është hera ime e tretë që e festoj 2 qershorin në Prishtinë dhe e fundit për mua si Ambasador i Italisë në Kosovë. Unë do të largohem nga Kosova më 4 korrik dhe shpresoj që pasardhësi im Piero Sardi do të pranojë të njëjtën ngrohtësi dhe miqësi të cilën unë e kam gëzuar. Këto kanë qenë tri vite sfiduese mirëpo të mbushura më shumë kënaqësi. Jam krenar të them se po e lë një ambasadë, e cila tani është e pastër, e re dhe efikase.
Vlen të theksohet se Misioni i KFOR-it, pas tri viteve të komandës italiane, garantoi një periudhë pa aksidente ndëretnike. Ky është një rezultat i madh, i cili është ndërtuar me punë të vazhdueshme dhe përpjekje të mëdha. Do të doja të theksoj arritjet e Misionit të EULEX-it, i cili, nën drejtimin italian, ka rritur efektivitetin dhe mprehtësinë në përpjekjet e tij kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Duhet thënë gjithashtu, se në të njëjtën periudhë Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm. Shumë shembuj e dëshmojnë këtë zhvillim. Mbaj mend votimin e parë administrativ që mbulonte tëre territorin e vendit në nëntor të vitit 2013, zgjedhjet e rregullta në qershor të vitit 2014, themelimin e Dhomës së Posaçme në gusht të vitit 2015, hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në prill të vitit 2016, marrjen e detyrës në mënyrë të rregullt nga Presidenti i Republikës dhe rekomandimin pozitiv për Liberalizimin e Vizave. Po ashtu, progresi i dialogut me Beogradin ka shënuar hapa përpara dhe duhet të vazhdojë. I përgëzoj qeveritarët tuaj për një progres të tillë.
Përvoja ime në këtë vend më lejon të them se, sipas mendimit tim, e ardhmja e Kosovës varet nga katër faktorë kryesorë:
Kosovarët janë kureshtarë për pjesën tjetër të botës dhe kanë të drejtë në dëshirën për të udhëtuar. Megjithatë, në qoftë se ata nuk e shohin të ardhmen e tyre në Kosovë, nuk ka të ardhme për vetë Kosovën.
Qeveritarët dhe parlamentarët duhet vënë zhvillimin ekonomik dhe social si një prioritet kryesor, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra. Heronjtë e Kosovës moderne janë administratorët e ndershëm, biznesmenët e guximshëm dhe qytetarët që i binden ligjit.
Të rinjtë mbajnë barrën e ndërtimit të vendit të tyre. Ata duhet të bëjnë këtë pa shikuar interesat individuale. Kompensimi për përpjekjet e tyre duhet të përfshijë mundësi më të mëdha, paga adekuate, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Kosova duhet të vazhdojë të izolojë dhe të pengojë të gjitha format e ekstremizmit, si dhe nxitjet etnike dhe fetare.
Me krenari të madhe mund të deklaroj se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Italisë dhe Kosovës kurrë nuk kanë qenë më të forta dhe më të thella. Vizitat zyrtare janë një shenjë e qartë e këtyre marrëdhënieve miqësore. Në Itali, kohët e fundit ne kemi mirëpritur Presidentin e Republikës, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Integrimit Evropian dhe nga Italia, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Ministrja e Mbrojtjes kanë ardhur në Kosovë. Po ashtu, kemi pasur shkëmbime të vazhdueshme të delegacioneve parlamentare dhe teknike.
Progresi në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Italisë dhe Kosovës tregon se sa e fortë është kjo miqësi. Tregtia dypalëshe është rreth 300 milionë euro dhe investimet italiane në Kosovë janë duke u përmirësuar. Sfidë për pasardhësin tim do të jetë sjellja e më shumë kompanive italiane dhe promovimi i mëtejshëm i kulturës dhe gjuhës italiane në këtë vend. Megjithatë, unë jam i bindur se ka elemente për përparime të rëndësishme.
Prandaj, unë i përshëndes të gjithë miqtë me të cilët kam pasur mundësinë të punojë gjatë këtyre tri viteve, një falënderim i veçantë shkon për ushtarakët italianë, gjyqtarët dhe policët dhe në fund por jo më pak të rëndësishmit, për stafin tim të shkëlqyer ë Ambasadës Italiane në Prishtinë.
I falënderoj përzemërsisht të gjithë miqtë e mi në Kosovë për miqësinë e tyre, mirësjelljen dhe humanizmin, që këtë periudhë të shërbimit e ka bërë një përvojë jashtëzakonisht profesionale dhe humane.
I përshëndes dhe falënderoj të gjithë kolegët e mi në komunitetin ndërkombëtar, ishte kënaqësi të punoja me ta.
Kosovës dhe kosovarëve u uroj një të ardhme të lumtur dhe prosperitet. Kam bërë aq sa kam pasur mundësi të kontribuojë.
Andreas Ferrarese