Fjalimi i plotë i Kryeministrit për Ditën Botnore të Ujit

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, mori pjesë në manifestimin për shënimin e Ditës Botnore të Ujit.

Me këtë rast, Kryeministri vlerësoi randësinë e ujit për nji zhvillim të qëndrueshëm të vendit, mbasi që uji i pijes dhe mbrojtja e tij konsiderohen si faktorë kyç të zhvillimit ekonomik dhe të luftës kundër varfënisë, thuhet në njoftimin dërguem mediave nga zyra e Kryeministrit.

Simbas njoftimit, Kryeministri Mustafa ma mbas vizitoi Fabrikën e ujit në Shkabaj, të cilën e vlerësoi si nji kontribut shumë të randësishëm të donatorëve, investitorëve dhe qytetarëve të Kosovës.

Mustafa falenderoi punëkryesit, menaxhmentin, dhe Qeverinë Zvicerane që i kanë dhanë prioritet të jashtëzakonshëm sigurimit dhe menaxhimit të ujit në Kosovë.

Në këtë ditë kemi dalë së bashku me ministrin Agani, me ambasadoren zvicerane dhe me ekipin e Ujësjellësit Rajonal që të shohim zhvillimet e punimeve në ujësjellësin e ri. Do të jetë një kapacitet i domosdoshëm jo vetëm për Prishtinën, por edhe për gjithë këtë regjion, sepse ju e dini se ky ujësjellës furnizon më tepër se 8 komuna. Deri më tash kemi pasur probleme për plotësimin e nevojave të qytetarëve, të ekonomisë. Është fjala për prodhimin e një sasie të ujit prej 700 litrave në sekondë, që pastaj kur i shtohet edhe fabrikave tjera të ujit i kënaq nevojat e tanishme të Prishtinës dhe të komunave përreth”, ka thanë Kryeministri.
mustafa1 mustafa2

Fjala e plotë e Kryeministrit Mustafa në këtë manifestim:

Të nderuar të reja dhe të rinj që jeni së bashku këtu me ne, sepse ju jeni gjeneratat që prisni që të përfundohen shumë projekte në interesin tuaj dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ju përshëndes të gjithëve, ju uroj këtë ditë shumë të rëndësishme për ne, sepse uji është një prej resurseve më të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe social, për mirëqenien e qytetarëve dhe për rritjen e standardit të tyre.
Mund të them se rëndësia e ujit është shumë e madhe për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë, pasi që uji i pijes dhe mbrojtja e tij konsiderohen si faktorë kyç të zhvillimit ekonomik dhe të luftës kundër varfërisë.
Të gjithë mekanizmat botërorë, si Sfidat e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara, Organizata Botërore e Shëndetësisë, e konsiderojnë ujin si burim tejet të rëndësishëm të përmirësimit të gjendjes sociale dhe ekonomike, dhe gjendjes shëndetësore të popullatës. Prandaj, investimet në ujin e pijes dhe në ujin industrial, mbrojtjen e lumenjve dhe menaxhimin e mirë të sistemit të ujërave dhe ujitjes, janë dhe do të mbesin një ndër sfidat dhe një ndër investimet e rëndësishme që i konsiderojmë si investime me kthim në vendin tonë.
Ne me Programin tonë Qeverisës jemi munduar t’i japim rëndësi të veçantë, sigurimit të ujit për qytetarët, menaxhimit të ujit, pastrimit të ujërave të zeza, shfrytëzimit racional të lumenjve. Dhe unë mendoj se është punuar mjaft shumë, është punuar shumë nga Ministria, është punuar shumë nga agjencionet tjera qeveritare, dhe unë dëshiroj që t’iu përgëzoj për këtë punë të rëndësishme që është bërë, por po ashtu t’iu them se Qeveria është shumë e interesuar që edhe më tutje të punojmë në menaxhimin e ujërave dhe sigurimin e ujit për të gjithë qytetarët tanë.
Dëshiroj që të shfrytëzoj rastin që të falënderoj edhe donatorët që kanë dhënë një përkrahje tepër të madhe, por edhe shumë të rëndësishme, sidomos donatorët nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria Zvicerane për përkrahjen e tyre, që nuk ishte vetëm përkrahje materiale, por ishe edhe përkrahje kadrovike, në pikëpamje të sigurimit të kushteve që ne burimet që i ndërtojmë t’i menaxhojmë më mirë, edhe në mënyrë koorporative por edhe në pikëpamje ekonomike dhe në pikëpamje racionale.
Kemi nevojë edhe më tutje që të investojmë në disa zona të rëndësishme për ta mbrojt ujin e pijshëm. Me Programin Qeverisës por edhe me planet e Ministrisë ne i kemi identifikuar projektet dhe zonat në të cilat do të investojmë.
Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë mjete, të sigurojmë kapacitete menaxhuese në mënyrë që t’i mbrojmë ujërat dhe ato t’i shfrytëzojmë për të gjithë qytetarët tanë. Mbulueshmëria e popullsisë në vendin tonë me sistem të ujit dhe me ujësjellës është rrit vazhdimisht kohëve të fundit. Ajo ka arrit që të jetë mbi 80 për qind, që konsiderojmë se është më e larta në rajon. Me projekte të cilat jemi tani duke i implementuar me donatorë të jashtëm, sidomos me Qeverinë Zvicerane, pretendojmë që këtë mbulesë ta arrijmë në rreth 90 për qind, që po ashtu do të jetë një sukses shumë i madh për ne, dhe që të rrisim proporcionalitetin e qasjes në ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e vendit tonë.
Unë konsideroj se shënimi i kësaj dite nuk është vetëm një shënim formal, por para së gjithash është një rast i mirë që të gjithë ne të rishikojmë të arriturat dhe problemet tona në menaxhimin e këtij resursi të pazëvendësueshëm për popullatën dhe për zhvillimin ekonomik.
Besoj se debatet, diskutimet dhe punët që më tutje do t’i zhvillojmë në këtë fushë, do të jenë kontributdhënëse në mënyrë që ne të arrijmë të sigurojmë ujin për qytetarët tanë, të sigurojmë ujë për zhvillim ekonomik, dhe të sigurojmë një perspektivë zhvillimore në të ardhmen.
Shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’iu uroj për këtë, të falënderoj prezencën e ambasadores zvicerane këtu dhe të përfaqësuesve tjerë diplomatikë në gjithë këtë përkrahje që na e kanë dhënë, dhe përkushtimin tonë që të bashkëpunojmë edhe më tutje ngushtë në këtë fushë.