Flamuri shqiptar në homazhet e Brukselit

Pak orë mbas sulmeve terroriste që morën jetën e 32 personave dhe plagosjen e 270 të tjerëve, Brukseli u zgjue sot me homazhe e me nji minutë heshtje.

E veç belgve dhe shetasve të tjerë, në këto homazhe nuk ka mungue as flamuri shqiptar, i cili shihet i mbuluem me lule dhe qira.

Në Belgjikë jeton nji komunitet ende i paregjistruem shqiptarësh, por ambasadorja e Kosvoës në Bruksel, i tha mbramë Televizionit Rrokum, se aty jetojnë rreth 40 mijë shqiptarë.

Ngushëllimeve iu bashkue sot edhe Papa Françesku, i cili nga Sheshi Shën Pjetër në Vatikan, bani thirrje për dënim unanim të sulmeve ekstremiste në Bruksel.

Ndërkohë, dy nga tre vetëvrasesit që vdiqën në sulmin e djeshëm, janë identifikue si vllaznit Ibrahim dhe Khalid El Bakraoui, të njoftun per policinë.

Ndërsa, terroristi i katërt, Najim Laachraoui po ndiqet ende nga policia, edhe pse gjatë ditës u raportue gabimisht për kapjen e tij.

Gjatë nji konference për media sot në Bruksel, Prokurori belg tha se policia ka gjetë nji laptop të Ibrahim El Bakraoui, në të cilin ishte shkrue njifarë testamenti i tij.

“Nuk di çka me ba, sepse nuk du’ me ndejtë në nji qeli burgu me të”, thuhet në testament, e simbas prokurorit, shkrimi i referohet Salah Abdeslam, të arrestuem nga policia me 18 Mars për sulmet e 13 Nandorit të kaluem në Paris. Madje, dyshohet se edhe vetë El Bakraoui ka qenë ndër organizatorët e këtij sulmi.

Por agjencia lajmeve ANSA njofton se në mesin e të humbunve që nga dita e djeshme asht edhe nji italiane, punëtore e zyrës së shtypit të Komisionit Europian, e që me gjasë, ka me rezultue e vrame.

Ndërkaq, në mëngjesin e sotëm, Aeroporti i Toulouse në Francë u evakuue mbas nji sinjalizimi për rritjen e masave të sigurisë, ndërsa nji alarm për bombë u raportue edhe në aeroportin e Athinës.

E derisa në Bruksel janë shtue gjatë gjithë ditës masat e sigurisë, UEFA e ka përjashtue mundësinë që ndeshjet e Euro 2016 me u mbajtë pa tifozë për shkak të rrezikut të sulmeve terroriste.