Flora Brovina: 245 të vramët e Rankovic – dëshmorë të Kosovës

Ashtu si raportoi Televizioni Rrokumi në 71-vjetorin e Masakrës së Tivarit, se institucionet tona nuk dijnë as për numrin e viktimave, e as që njihen si dëshmorë, sot Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka fillue punën për njohjen e statusit dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyne, por pa përfshi edhe mijat e shqiptarëve të vramë në këtë masakër.
Në këtë komision u vendos që me iu njoftë ky status edhe të vramëve para luftës së fundit e këtë e konfirmoi vetë Kryetarja e këtij Komisioni, Flora Brovina e cila pohoi se në projektligjin për për statusin e dëshmorit kanë me u përfshi edhe ata që kanë qenë nëpër burgje apo që kanë rezistue nëpër protesta gjatë viteve të mahereshme. Mirëpo nuk dihet saktë se prej cilit vit ka me nisë llogaritja e këtyne rasteve, meqë nuk asht precizue saktë asnji vit.
Megjithatë burime të Televizionit Rrokum mbrenda këtij komisioni thonë se koha prej kur kanë me u njehë dëshmorët e ranë, asht prej Rankovic’it. E Aleksandar Ranković ka shërbye në institucionet Jugosllave për nji kohë të gjatë. Postin e tij të parë ai e ka pasë ne vitet 1944-1946, si drejtues i OZNA’s, apo siç njihet ndryshe në Kosovë, paraardhësja e UDB’s. Dhe të fundit si zavendës i parë i Presidentit të Jugosllavisë, ndërsa periudha ma e randë për Kosovën ishin ata kur Rankoic ishte Ministër i Mbrendshëm në Jugosllavinë e Titos.
Televizioni Rrokum konfirmoi para pak ditësh se as Kosova e as Shqipnia nuk e dijnë saktë numrin e të vramve në Tivar, me 1 Prillit të 1945.
Mirëpo simbas burimeve tona, nëse ka me u llogaritë statusi i dëshmorit prej kohës së Rankovic’it, atëherë ka mundësi që edhë këtyne viktimave me iu njehë ky status.
Edhe Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetun, Prenk Gjetaj i tha Televizionit Rrokum përmes telefonit se nuk dihet për numrin e tyne dhe se ka pak njohuri. Simbas tij, komisioni që ai drejton, merret vetëm me periudhë e luftës së fundit, prej 1998 e tutje.
Megjithatë ky Komision ka zgjedhë Emrush Ujkanin si ekspert për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve.