FMN e brengosun për numrin e madh të veteranëve, pret listat përfundimtare

Veteranët e UÇK-së, të cilët marrin nga 170 euro pagë, thonë se kanë me e kundërshtue me çdo mjet nëse ju zvogëlohen të ardhunat.

Kërkesën për zvogëlimin e kompensimit të veteranëve asht tue e ba Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët thonë se Qeveria po përballet me presione të mëdha nga grupe të ndryshme, kur janë në pyetje këto paga.

Smajl Elezaj, kryetari i Veteranëve të UÇK-së ka thanë për Tribuna Channel, se pensionet nuk munden me u ulë.

“Nuk munden me u ulë pensionet përderisa ka kalue ligji për veteranët në Kuvendin e Kosovës. Ajo nuk mundet me ndodh. Qeveria nuk mundet me ba ulje ma shumë, sepse kështu asht miratue dhe nuk mund të bijnë nën shifrën minimale”, ka thanë, Smajl Elezaj, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së

Nga burime mbrenda Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë thanë se të mërkurën kjo Ministri ka pas takime me FMN-në, ku ndër tjera asht bisedue edhe për numrin e madh të veteranëve.

Simbas po këtyne burimeve, ky numër ka shkue mbi 23 mijë aplikues për statusin e veteranit dhe invalidit të luftës, që asht pa me shqetësim nga FMN-ja.

Në fillim nga listat që janë marrë nga shoqatat e veteranëve dhe invalidëve të luftës, numri i tyne ka qenë rreth 14 mijë veteranë, por ky numër asht rritë vazhdimisht tue kalue tashma shifrën prej 23 mijë aplikusish.

FMN dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë tue i pritë listat përfundimtare nga komisioni qeveritar për njohjen e statusit të veteranëve për me vendosë ma tutje.

“Jemi në pritje të listave përfundimtare dhe besoj që deri në fund të këtij mueji, që ka mbet çashtje ditësh, kena me i marrë edhe listat me numrin e saktë të veteranëve. Asht vërtet shqetësus ky numër për të cilën ka kritika edhe nga FMN-ja”, thotë ky burim.