FMN: Kosova ka ba progres

Ministria e Financave, Banka Qendrore e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë mbajtë Seminarin mbi Raportin vjeshtor të FMN’s 2016 për çashtjet rajonale ekonomike për Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL).

Vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore përfshijnë: Shqipninë, Bjellorusinë, Bosnjën, Bullgarinë, Kroacinë, Çekinë, Estoninë, Hungarinë, Kosovën, Letoninë, Lituaninë, Maqedoninë, Moldavinë, Malin e Zi, Poloninë, Rumaninë, Rusinë, Serbinë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Ukrainën.

Ky raport mbulon çashtjet që kanë të bajnë me zhvillimet kryesore ekonomike për vendet e Europës Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore, si dhe pritjet për zhvillimet e ardhshme ekonomike. Si i tillë, ky raport publikohet dy herë në vit (në pranverë dhe në vjeshtë), me qëllim të rishikimit të zhvillimeve ekonomike në këto vende dhe gjithashtu në masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe administrimin e tatimeve.

Me rastin e publikimit të këtij Raporti, FMN në bashkëpunim me Qeveritë përkatëse ban prezentimin e këtij raporti në ndonjanin nga vendet e përfshime në raport. Për këtë edicion, asht vendosë që prezentimi të bahet në Kosovë dhe në Lituani. Për sa i përket Kosovës, asht hera e parë që ky Raport prezentohet në Prishtinë.

Sa i përket pikave kryesore që përmban ky raport në lidhje me Kosovën, ministri i Financave Avdullah Hoti , bani të ditun se “Raporti me të drejtë kallxon për suksesin e Kosovës në drejtim të përmirësimit të kualitetit të portfolios kreditore. Kjo kallxon për angazhimin e BQK’s dhe tanë akterëve për nji ambient ma të mirë ekonomik, që ka ndikue edhe në kualitetin e portfolios kreditore. Kosova rangohet mjaft mirë për sa i përket kualitetit të administrimit me tatime. Na siç e dini, kemi ba reforma mjaft substanciale në drejtim të thjeshtësimit të procedurave dhe eliminimin e burokracisë, dhe kjo asht kapë mirë nga ky raport”.