“FSK asht gati me u shëndrrue në Ushtri”

“Forca e Sigurisë së Kosovës asht gati me u shëndrrue në Forcat e Armatosuna të Kosovës”, ka thanë të Premten, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai i ka urue pjesëtarët e kësaj force dhe qytetarët e Kosovës, tue thanë se “Forca e Sigurisë së Kosovës asht rritë në nji forcë të standardeve ma të naltta ndërkombëtare, tue bashkëpunue ngushtë me NATO’n dhe ushtritë e vendeve tona mike, nga SHBA’të e deri te Europa”.

“Ata janë krenaria jonë, besimi ynë në t’ardhmen tonë të sigurt, në paqe e stabilitet. Forca e Sigurisë së Kosovës tashma asht gati që me u shendrrue në Forcat e Armatosuna të Kosovës. Ka me qenë kjo nji forcë e standardeve ma të nalta të NATO’s, profesionale, me përfshimje të gjanë të tana komuniteteve dhe gjinive, që ka me u angazhue për paqe dhe stabilitet në Kosovë, rajon dhe kudo në botë”, ka thanë presidenti Thaçi.

Ai ka lavdue njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë marrë medaljen e artë në manovrat në Britani të Madhe.

Lavdata për njësitet e FSK’s ka adresue edhe ambasadori i Shteteve të Bashkueme të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, i cili marrjen e medaljes së artë në manovrat e Britanisë së Madhe e ka cilësue si “nji e arritun vërtetë e hatashme tue e pasë parasysh që Kosova merrte pjesë për herë të parë në nji garë të tillë”.

 

Forca e Sigurisë së Kosovës asht forca ma e besueme në Kosovë, ka thanë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Simbas tij, kjo forcë ka me u shendrrue në Forca të Armatosuaa të Kosovës, vitin e ardhshëm.

“Në partneritet edhe me bashkësinë ndërkombëtare kemi me pasë transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosuna të Kosovës. Kur mendoj këtë, mendoj për çashtje muejsh. Po flas për pjesën e parë të vitit të ardhshëm”, ka thanë Veseli.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, ka thanë se në shënimin e ditës së kësaj force, ajo asht afër qytetarëve.

“Na si ministri e FSK’s, kemi vendosë që Ditën e FSK’s me festue së bashku me qytetarët e Kosovës. Andaj, kemi hapë dyert e të tana kazermave tona, në mënyrë që me ardhë e me na vizitue të rijtë, të rritunit, tana grupmoshat e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që për së afërmi m’i pa disa nga kapacitetet tona, ta shohin personelin tonë dhe të shohin disa nga aktivitetet tona, të cilat i kemi pregaditë veç për qytetarët e Kosovës”, ka thanë Demolli.