Fund rrenave: Kjo asht e verteta e lotëve të këtij ushtari të UÇK’s!

Fotografia, e cila asht përfol shumë në mediat tona dhe asht komentue në mënyra të ndryshme, ka ngjallë reagime nga e bija e ish-ushtarit të UÇK’s.

Në fotografi asht Xhafer Kadiri, ushtar i UÇK-s, foto e cila asht ba më 12.11.1998 në fshatin Reti të Rahovecit.

 

Po ju sjellim reagimin e plotë të bijës së Xhaferit, Saranda Kadiri në llogarinë e saj në Facebook:

 

REAGIM:

 

Për herë të dytë po reagoj publikisht për këtë cështje. Ka kohë që po ndihem e dëshpëruar nga komentet e pavërteta, të tipit: uniforma dhe lotët nuk shkojnë bashkë, ose këto lotë janë të njerëzve që lufta i ka zënë “zgabim”, pastaj komente prej më të ndryshmeve ku thuhet se ushtari në fotografi mbledh kanaqe, s’ka shtëpi, ka dalë në TV me lyp ndihmë etj. Prandaj, po i informoj të gjithëve.

Babi im, Xhafer M. Kadiri nga Rahoveci, me dëshirë, vullnet e guxim, ka vendosur të marrë pjesë në Luftën Clirimtare të Kosovës. As nuk e ka zënë lufta “zgabim”, as nuk e ka detyruar apo paguar askush t’i bashkohet ushtrisë. Atdhedashuria dhe fuqia e ndjenjës për clirim e bashkim, ishin shtysat kryesore që ai të linte familjen dhe t’dashurit e tij e t’i bashkohet me siguri të plotë UCK-së. Ata që e njohin personalisht e dinë shumë mirë këtë fakt. Kur jemi te lotët, personalisht mendoj që lotët dhe uniforma shkojnë bashkë më shumë se cdo gja tjetër, qofshin lotë gëzimi për clirim, apo lotë dhimbjeje për humbjen e bashkëluftëtarëve.

Në këtë rast, fotografija është bërë më 12.11.1998 në fshatin Reti të Rahovecit, dhe lotët në sytë e babit tim shprehnin dhimbjen e thellë për humbjen e dy komandantëve dhe shokëve të tij, Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici. Sa u përket dezinformatave të tjera, ushtari në fotografi është BABI IM, nji njeri i thjeshtë si plot të tjerë, punon ndershëm dhe pastër për me i dal zot familjes dhe me i arrit qëllimet e veta dhe të familjes së tij.

Ai mirret me blegtori dhe bashkë me familjen e tij përkujdeset për fermën e tij, dhe mundohet në cdo mënyrë me i qëndru besnik punës, familjes, njerëzve dhe atdheut.

Edhe këto i dinë shumë mirë të gjithë që e njohin personalisht. Nuk është e vërtetë që ai ka kërku ndihmë prej dikujt, në videon e shumë përfolur dhe me gjasë të keqkuptuar nga një numër i madh individësh, ai thjeshtë ka treguar për shkeljen dhe mungesën e trajtimit në mënyrë të duhur të kategorive të luftës nga ana e pushtetit.

Ka kohë që kjo fotografi po përdoret për qëllime të caktuara politike apo interesa të tjera personale nga individë apo grupe të caktuara, po e qartësoj që, asnjëherë babi im nuk ka pasur përfitime personale nga këto “lojëra”. Kërkoj që nëse hasni në këso lloj komentesh t’u tregoni njerëzve realitetin, mos e keqpërdorni luftën e drejtë dhe vlerat e saj, mos përdorni askë për qëllime personale, mos bini pre e informatave të pavërteta.

Për fund, i përshëndes dhe i falënderoj të gjithë ata që kanë shprehur vazhdimisht respekt dhe dashuri per babin, për luftën, për dëshmorët dhe familjet e tyre, për të pagjeturit dhe për ATDHEUN.

Mbetshi mirë, Saranda Xhafer Kadiri