Gazetari italian: Ishte inskenim, grusht-shteti nuk zgjat 4 orë as në Banana Republikë

Janë të shumtë zanat që flasin për nji inskenim në atë që ndodhi në Turqi mbramjen e të Premtes. Janë të shumtë ata që dyshojnë se gjithçka u sajue nga presidenti Erdogan apo të besuemit e tij, për me ba atë ma të fortë dhe për me i hapë rrugën ndryshimeve kushtetuese që kishin me kthye Turqinë në nji republikë presidenciale, tash që Erdogan u ba president.

Corriere Della Sera vjen me nji version të tillë nga nji gazetar që e ka njoftë Turqinë prej 36 vjetësh dhe ka intervistue të gjithë liderët politikë të këtij vendi, përfshi edhe Erdogan.

Çka ka ndodhë me të vërtetë në Turqi? Nji grusht shteti?

E pra, grusht shteti asht nji fjalë e madhe. Maksimumi mundemi me quejtë atë nji mini grusht shteti të papërshtatshëm, që shpërtheu para kohe.

Pse nuk e besoni grushtin e shtetit?

Së pari, për shkak se në jetën time profesionale kam pa gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje, por nji grusht shteti që zgjat veç katër orë nuk kisha mujt me imagjinue as në shtetin e lirë të Bananas (shtet imagjinar simbas nji filmi të Woody Allen). Së dyti, ka fakte pothuejse shqetësuese, aq sa edhe të pamundun.

Kam intervistue të gjithë liderët politikë, tue përfshi edhe karizmatikun, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin edhe jam nxanë dikur. Kjo njohje më ka lejue me vendos raporte personale të randësishme. Me pak fjalë, kam burime të besueshme dhe të çmueme. Edhe natën e Premte, me telefon, më kanë paralajmërue.

Në çfarë kuptimi?

Më dhanë me kuptue: kujdes, mundet me qenë e sajueme. Erdogan nesër ka me qenë ma i fortë se sot.

Po kujt i shërbeu ky mini grusht shteti, siç e queni ju?

Erdoganit. Asht shumë ma i fortë. Ndoshta ai shpreson që me i pasë votat për me ndryshue kushtetutën, dhe për me transformue Turqinë në nji republikë presidenciale.

Mendimi juej?

Shpresoj që jo, veçanërisht për miqtë e mi turq. Dhe për kolegët e mi në atë vend, që çdo ditë rrezikojnë burgun . Në mos ma keq.