Gecaj: Prishtina asht shndërrue në kazermë ushtarake të Brigadave të Kuqe të Lëvizjes Anarkiste Vetëvendosje

Zv/Ministri Bajram Gecaj nga LDK përmes nji shkrimi në Facebook, thotë se i pari i Prishtinës Shpend Ahmeti e ka shndërrue objektin e Komunës së Prishtinës në nji kazermë ushtarake të Brigadave të Kuqe të Lëvizjes Anarkishte Vetëvendosje.

E kjo simbas tij asht shkelja ma e randë e tij, nga ato shumë e shumë premtime të dhana qytetarëve të Prishtinës e të parealizueme kurrë.

 

Shkrimi i plotë:

Komuna e Prishtinës – Kazermë Ushtarake
Shpend Ahmeti e ka shndërruar tanimë objektin e Komunës së Prishtinës padiskutueshëm në një kazermë ushtarake të Brigadave të Kuqe të Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes (LAV). Dhe kjo është shkelja më e rëndë e tij, nga ato shumë e shumë premtime të dhëna qytetarëve të Prishtinës e të parealizuara kurrë. Shpendin si duket as që e pyet kush për vendime të tilla, madje-madje për këtë nuk pyetet as kryetari real (i vërtetë) i komunës, shefi i Shpendit, Daradan Sejdiu; derisa “komunari” Shpend merret me politika “nacionale e globale”. Këto vendime në fakt zihen e përzihen në kuzhinat e Brigadave të Kuqe, nga anarkistë me tendenca të çrregulluara e me mendje të prishtë, truri i të cilëve veç dëmtimin e shkatërrim e Republikës së Kosovës mund ta mendojë. Pos shtetit e pronës publike, këta paramilitarë na sulmojnë edhe dinjitetin individual, antarët e familjeve si dhe pronën e tyre private. Këto veprime të vazhdueshme janë jo vetëm shkelje premtimesh zgjedhore, por edhe tejkalim dhe keqpërdorimi më flagrant i kompetencave të autonomisë lokale. Nuk kemi krijuar ne komuna që ato të shkatërrojnë shtetin, por të jenë sa më afër nevojave të përditshme të qytetarëve, dhe këtë gjithherë në suazat e sistemit ligjorë dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës. Besoj fuqishëm se qytetarët e Prishtinës nuk do ta përsërisin kurrë më një gabim të tillë, derisa qytetarët e Republikës së Kosovës kanë mësuar se më në fund se LAV e ka vendin vetëm në pjesën e errët të historisë më të re të shtetit të ri të Kosovës.