Gecaj: Qe pse Prishtina humbi fonde në vlerë prej 1.4 milion euro

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal publikon çdo vit Raportet e performancës për pushtetet lokale. Simbas Raportit të Performancës së komunave për vitin 2015, të publikuem nga MAPL, Komuna e Prishtinës kategorizohet në grupin e komunave me performancën nën mesatare në ofrimin e shërbimeve në nivel vendi, e që vlerësohet nën 44,79 për qind. Këto të dhana i ka shpalosë zv. ministri i MAPL, Bajram Gecaj.

Gecaj ka thanë se në vitin 2016, Komuna e Prishtinës nuk ka fitue asnji pjesë të grantit të performancës, për shkak të mospërmbushjes së kritereve minimale të vendosuna nga projekti zviceran DEMOS.

Ai ka thanë se kriteret ndërlidhen me te dhana si opinionet e auditorit të përgjithshëm, shkallën minimale të inkasimit të tatimit në pronë, realizimin e projekteve paraprake, pagesën e tarifës për anëtarësimin në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK), masat e caktueme kundër korrupcionit, dhe raportimin e saktë të të dhanave në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale”, ka shkrue Gecaj në rrjetin social Facebook.

Simbas Gecajt për shkak të keqqeverisjes, Prishtina humbi nji fond në vlerë prej mbi 1.4 milion euro nga DEMOS.

Postimi i plotë i Zv. Ministrit të MAPL:

HUMBJA E FONDIT STIMULUES (DEMOS) PËR PERFORMANCËN MË TË MIRË TË KOMUNAVE PËR SHKAK TË KEQQEVERISJES SË SHPEND AHMETIT (Prishtina humbë 1.440,000.00 €)

Këtyre ditëve kanë qarkulluar informata të ndryshme nëpër media mbi keqmenaxhimin në Komunën e Prishtinës, për çka në disa raste në mënyrë të gabuar kanë fajësuar edhe Kuvendin Komunal. Megjithatë, është ekzekutivi ai i cili menaxhon me qeverisjen lokale, jo Kuvendi Komunal. Tani më janë bërë afërsisht 3 vite të qeverisjes së Kryeqytetit nga Shpend Ahmeti dhe arsyetimet banale nuk i “ha pazari” më. Në fakt, për shkak të keqmenaxhimit nga ky kryetar dhe bashkëpartiakët e tij, nga viti në vit kanë dështuar një numër i madh i projekteve të nisura nga qeveria paraprake, si dhe i janë shkaktuar dëme të shumta financiare komunës, nga të cilat është vështirësuar jeta e qytetarëve dhe zhvillimi i bizneseve.

Për çdo vit Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal vlerëson performancën e komunave në ofrimin e shërbimeve për qytetarë. Janë 15 fusha në të cilat vlerësohet performanca e komunave e bazuar në indikatorë, duke përfshirë: shërbimet administrative, menaxhimin e rrugëve publike, parkingjet, trotuaret, ndriçimin publik, menaxhimi i mbeturinave, etj. Për performancën më të mirë të komunave, projekti zviceran DEMOS (Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje Komunave), i cili financohet nga SDC-ja zvicerane dhe zbatohet nga HELVETAS Swiss Intercooperation (HSI), ndanë grante në vlerë prej 1.5 milion euro. Nga ky projekt çdo vit shpërblehen komunat në bazë të performancës së tyre në fushën e menaxhimit financiar, shërbimeve publike dhe demokracisë lokale. Ndarja e granteve nga kjo e fundit bëhet duke u bazuar në të dhënat zyrtare nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Financave, Auditori i Përgjithshëm, si dhe disa kritereve tjera të vetë projektit DEMOS.

Në vitin 2016, Komuna e Prishtinës nuk ka fituar asnjë pjesë të grantit të performancës, për shkak të mospërmbushjes së kritereve minimale të vendosura nga projekti zviceran DEMOS. Kriteret ndërlidhen me te dhëna si opinionet e auditorit të përgjithshëm, shkallën minimale të inkasimit të tatimit në pronë, realizimin e projekteve paraprake, pagesën e tarifës për anëtarësimin në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK), masat e caktuara kundër korrupsionit, dhe raportimin e saktë të të dhënave në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale.

Sipas Raportit të Performancës së komunave për vitin 2015, të publikuar nga MAPL, Komuna e Prishtinës kategorizohet në grupin e komunave me performancën nën mesatare në ofrimin e shërbimeve në nivel vendi, e që vlerësohet nën 44,79%. Më pas, raporti thekson se 18 komuna kanë treguar performancë mbi mesatarën e vendit prej 44.79%. Më të dalluarat janë: Fushë Kosova (71.95%) Graçanica (62.48%), Mitrovica e Jugut (70.61%), Junik ( 68.45%), Shtërpca (68.30%), Gjakova (62.75%) etj. Krahas tyre, 20 komuna (apo më shumë se gjysma) kanë treguar rezultate të dobëta, ndër të cilat edhe Komuna e Prishtinës.

Në vitin 2016, nga Projekti DEMOS, krahas grantit bazik, janë ndarë edhe shpërblime për komunat më të suksesshme, përfshirë çmimet si vijon:
– Performuesi më i mirë: Gjakova 120,000.00€, Peja 108,000.00€ dhe Shtime 38,400.00€;
– Përmirësuesi më i mirë: Gjakova 120,000.00€, Lipjani 44,550.00€ dhe Novobërda 24,000.00 €;
– Përmirësuesit më të mirë në menaxhim financiar: asnjë komunë;
– Përmirësuesit më të mirë në shërbimet publike: Gjakova 120,000.00€, Rahoveci 39,600.00 € dhe Lipjani 44,550.00 €;
– Përmirësuesit më të mirë në demokraci lokale: Gjakova 120,000.00 €, Peja 120, 000.00 € dhe Novobërda 24,000.00 €.

Pra, në total, përpos grantit bazik, shpërblime shtesë kanë përfituar 6 Komuna në vlerën prej 923,100.00 € . Prej tyre, më së shumti ka përfituar çmime Komuna e Gjakovës, me 480 mijë euro shpërblime shtesë dhe 120 mijë euro grant të rregullt, që në total ka fituar 600 mijë euro.
Për tu kualifikuar për shpërblim në cilëndo prej kategorive të mësipërme, raporti i auditimit të komunës për vitin vlerësues është dashur të ketë jo më pak se opinion të pakualifikuar . Gjithashtu, Komuna e Prishtinës nuk ka arritë as kushtin bazik për implementimin e grantit të vitit 2014.

Duke marrë parasysh se Auditori i Përgjithshëm për Komunën e Prishtinës nënvizon një numër të madh të shkeljeve ligjore të bëra në vitin 2015, kjo komunë nuk ka përfituar asnjë nga çmimet e lartshënuara. Për shkak të mosadresimit të rekomandimeve të auditorit të përgjithshëm, si dhe shkeljeve ligjore dhe procedurale të evidentuara nga Auditori i Përgjithshëm, Komuna e Prishtinës ka humbur mundësinë e përfitimit të granteve në vlerë prej 1.440,000.00 euro të projektit DEMOS (shumë më e lartë e mjeteve të humbura, për shkak të vlerës së koeficientit të rezultateve për Komunën e Prishtinës).

Gjithashtu, po të shohim raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, vërejmë një numër të madh të shkeljeve ligjore të bëra nga Komuna e Prishtinës, përfshirë: shkeljet e procedurave të prokurimit publik, shkeljet e procedurave gjatë rekrutimit të stafit mësimor, shkeljet në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave, angazhimin të punëtorëve me kontrata mbi shërbimet e veçanta (270 punëtorë), keqmenaxhimin financiar, dështimin në realizimin dhe shpenzim të buxhetit, ndryshimit të linjave buxhetore në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimine Financave Publike, keqpërdorimin e buxhetit të komunës me rastin e ndarjes së subvencioneve, largimin e punëtorëve nga puna në mënyrë të kundërligjshme, etj. Të gjitha këto, i kanë kushtuar Prishtinës me humbjet buxhetore të shkaktuara nga keqmenaxhimi i financave, nga keqpërdorimi i buxhetit të Komunës, paaftësia për të shpenzuar buxhetin në mënyrë efikase, si dhe shkeljeve të tjera të vazhdueshme, përfshirë edhe humbjen e mundësisë së përfitimit nga granti i projektit DEMOS, për shkak të performancës së dobët në ofrimin e shërbimeve për qytetarë.