George W. Bush: Ato që nuk i thashë për 11 Shtatorin!

Ribotim i pjesshëm i intervistës së ish presidentit të SHBA’ve, që shoqnoi daljen e librit të tij, “Decision Points” dhe ku flet me detaje për ditën e sulmeve terroriste.

Bota.al, 15 vjet mbas sulmeve terroriste që ndryshuen nji herë e përgjithmonë Amerikën dhe të gjithë botën, riboton pjesë të intervistës së presidentit për “The Atlantic”.

Kjo asht pjesa e intervistes:

Flasim pak për probleme që shndërroheshin në përgjegjësinë tuaj. Ishte e martë, 11 shtator…?

Po.
Ju ishit në një shkollë në Florida?

Po dëgjoja disa fëmijë që lexonin librin. Shefi i Stafit, Andy Card erdhi dhe më pëshpëriti në vesh: “Një avion i dytë ka goditur Qendrën Botërore të Tregtisë. Amerika është sulmuar”.

Në filmime dukeni që keni marrë lajmin dhe vazhdoni të qëndroni edhe shtatë minuta?

E vërtetë. Vendosa të mos kërcej nga vendi dhe të krijoj një skenë kaotike, sepse njerëzit do të ishin duke parë reagimin tim.

Po, por është thikë me dy presa, sepse mbështetësit e Bushit thonë: “Ai qëndroi aty për të treguar qetësi”. Ndërsa kritikët thonë: “Ishte në gjendje shoku”.

Nuk dua të debatoj me kritikët për të thënë isha në gjendje shoku apo jo. Nuk isha. Ata mund të lexojnë librin dhe le ta nxjerrin vetë konkluzionin.

Në libër, ju shkruani se i thatë stafit tuaj: “Shkojmë. Unë jam Presidenti. Shkojmë në Uashington”. Por ata nuk ju lanë. A nuk mundeshit të vendosnit ju dhe jo ata në ato momente?

Mundesha, por ekziston problemi i vazhdimësisë së qeverisë. Kështu që, Air Force One qëndroi larg nga Capitoli, duke fluturuar fillimisht në Louisiana… më pas Nebraska.

Në një pikë atë mëngjes ju dhatë një urdhër, ndërkohë që situata ishte ende kaotike?

Po.

Askush nuk e dinte në kish avionë të tjerë. Dhe juve ju desh të jepni një urdhër që ushtria e SHBA kish autoritet të godiste dhe rrëzonte çdo avion që nuk i përgjigjej komandës për tu ulur.

E vërtetë. Kishim marrë vendimin të pastronim qiejt nga të gjithë mjetet ajrorë. E vetmja rrugë e sigurt ishte të thoshim: “Asnjë avionë në ajër dhe çdo avion që shfaqet dhe nuk i përgjigjet shoqërimit me avionë gjuajtës do të rrëzohet”.

Në fakt, kur avioni i fluturimit 93 ra në fushën në Shanksville, kishte një moment kur pyesnit veten nëse ishte rrëzuar për shkak të urdhrit tuaj?

Ishte një ndjesi shumë trazuese. Pastaj mësova që 93 ishte rrëzuar për shkak të heroizmit të disa amerikanëve. Një akt vërtetë heroik sulmimi i kabinës së pilotit dhe rrëzimi i avionit për të shpëtuar jetët e të tjerëve.

Disa ditë pas 11 shtatorit ju mbajtët një fjalim në Katedralen Kombëtare. Por teksa mbanit atë fjalim shumë të rëndësishëm dhe të fuqishëm, ju shkruani se i vetmi vend ku nuk mundeshit të hidhnit sytë ishte stoli ku qëndronin ulur nëna, babai dhe Laura.

Doja të sigurohesha të jepja një fjalim pa qenë shumë emocional. Kisha parë këta njerëz përreth, policë, zjarrfikës, që qanin. I thashë vetes “O Zot, duhet të fokusohem”. Dhe pastaj kuptova se i vetmi vend që do të më shkaktonte shumë emocione do të ishte ai ku ndodhej Laura, nëna dhe babai. Kështu që nuk pashë fare nga ata.

Ju përfunduat fjalimin. Shkuat drejt stolit. Teksa u ulët, është një skenë ku babai zgjati dorën dhe shtrëngoi dorën tuaj.

Po, kështu bëri. Ishte një moment shumë prekës. Njësoj sikur të thoshte: “Bravo bir. Të dua shumë”. Ishte një shprehje dashurie, por shumë e fuqishme.

A e keni ngritur ndonjëherë pyetjen, çfarë mund të kishit bërë më shumë që kjo të mos ndodhte?

Ne nuk kishim patur informacione solidë të shërbimit të fshehtë që të na jepnin një paralajmërim. Nuk është se kishim informacione të tipit: “Bëhuni gati. Ata do të përplasin avionë në ndërtesa në Nju Jork”.

Ja diçka tjetër nga libri: “Nuk do të mund ta harroja asnjëherë atë që i ndodhi Amerikës atë ditë. Do të vija zemrën dhe shpirtin për të mbrojtur vendin tim, me çfarëdolloj çmimi”. U deshën dy luftëra. Mijëra jetë njerëzish, jetë amerikanësh. Miliarda dollarë. A mos ishte shumë?

3000 vetë vdiqën në 11 shtator dhe unë u betova që do të bëja detyrën time për të mbrojtur popullin amerikan.

Disa javë pas 11 shtatorit 2001, ju, Colin Powell dhe Condi Rice ndodheshit në një samit ekonomik në Kinë, kur zëvendës presidenti Cheney dhe zëvendës shefi i sigurisë kombëtare Stephen Hadley u telefonuan përmes një videokonference. Cheney tha: “Janë ndezur biodetektorët. Mendojmë se na kanë sulmuar me toksinë”.

Po, në Shtëpinë e Bardhë. Dhe ishim ekspozuar të gjithë. Dhe po ta kishim thithur, fare mirë mund të ishim të vdekur. Steve Hadley, në mënyrë shumë formale tha: “Z. President, shumë shpejt do të testojmë disa minj”. Dhe ne, duke qeshur pak, thamë: “Nëse minjtë i ngrenë këmbët përpjetë, jemi të vdekur. Nëse i mbajnë këmbët poshtë, jemi mirë”. Disa prej njerëzve më të fuqishëm të vendit janë në pritje për të marrë një tufë kaviesh (qesh). Po. O këmbët lartë, o këmbët poshtë.

Dhe nëse ata ngordhnin, ju do vdisnit.

Po. Arsyeja përse e tregoj historinë është se njerëzit e kanë të vështirë të kujtojnë që menjëherë pas 11 shtatorit patëm një valë kërcënimesh.

Kur nisët planet e luftës për Afganistanin, patët një mbështetje shumë të madhe nga publiku. Mbështetja nga njerëzit për ju pas 11 shtatorit arriti në 90 për qind. Cilat ishin frikërat tuaja në lidhje me Afganistanin teksa përgatisnit planin e luftës?

Vendimi për të përforcuar një doktrinë të re, sipas të cilës nëse strehon një terrorist je dhe vetë fajtor si terroristi, nuk ishte i vështirë për t’u marrë. Vendimi më i vështirë për t’u marrë ishte çfarë të bëje pasi kishe larguar talebanët.

A mund ta kishit imagjinuar në 2001 se do të ishim sërish në Afganistan duke luftuar?

Shpresoja që nuk do të ndodhte, por nga ana tjetër dija atë që na mëson historia. Demokracitë duan kohë që të zhvillohen, përfshirë tonën.