Gërvalla: Kohl i kishte premtue NATO’s se do të hynte në luftë për Kosovën

Aktivistja e LDK’s në Gjermani, Donika Gërvalla, ka shkrue për vdekjen e Kancelarit gjerman Helmut Kohl.

Ajo ka tregue se si Kohl i kishte premtue NATO’s se do të hynte në luftë për Kosovën.

Gërvalla, po ashtu ka falënderue Kohl për kontributin që ka dhanë për Kosovën.

 

Ky asht publkimi i plotë i Gërvallës:

 

Faleminderit Helmut Kohl!

Kancelari gjerman Helmut Kohl u nda sot nga jeta në moshën 87-vjeçare.  Sot populli gjerman dhe i gjithë spektri i gjerë politik e kujton me mirënjohje të thellë babanë e ribashkimit të Gjermanisë.

Sot Evropa kujton me respekt të thellë arkitektin e Evropës së bashkuar. Mençuria dhe intuita e shëndoshë politike, lojaliteti ndaj partnerëve, këmbëngulja deri në kokëfortësi në synimet e drejta politike, sjellja njerëzore ndaj vartësve dhe bashkëpunëtorëve janë vetëm disa nga tiparet me të cilat përshkruhet ky kolos i historisë moderne evropiane.

Rol vendimtar Kancelari Kohl ka luajtur edhe në çlirimin e Kosovës nga kthetrat e Millosheviçit. Para zgjedhjeve në vjeshtë të vitit 1998, të cilat i humbi (dhe të cilat kancelar bënë Gerhard Schröder), Helmut Kohl në bisedë me SHBA-të dhe NATO-n pati premtuar: Gjermania do të jetë krah partnerëve të saj të NATO-s nëse kjo e fundit hyn në luftë, nëse intervenohet ushtarakisht për t’i shpëtuar qytetarët e Kosovës. Ishte pjesëmarrja e parë e ushtarëve gjermanë në një luftë që nga Lufta e Dytë Botërore, për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Qeveria Schröder u gjet para fakteve të kryera, të trashëguara nga Helmut Kohl. Debatet shoqërore që e pasuan këtë vendim janë vetëm një prej dëshmive të shumta se sa i vështirë ka qenë ky hap për Gjermaninë.

Më shumë se 100.000 ushtarë gjermanë kanë shërbyer ndërkohë që nga viti 1999 në Kosovë në kuadër të KFOR-it për të mbrojtur Kosovën nga veprimet e pakontrolluara të Serbisë dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin e brishtë në Ballkan.  Kosova sot është e lirë dhe e pavarur. Sa herë vjen 12 qershori jemi edhe më të ndërgjegjshëm që Millosheviçi kapitulloi para trupave të NATO-s, dhe Gjermania ishte pjesë e tyre.  Faleminderit Helmut Kohl!