Gëzim Kelmendi: Nxanësit me mësue për fenë në mënyrë institucionale

Propozimi për futjen e landës së mësimit fetar në shkollat publike të Kosovës, tash e disa vjet ka mbet i pashqyrtuem, pasi ende po debatohet rreth kësaj çashtje.

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi mendon se si model për futjen e landës së edukatës fetare në shkolla, duhet me u marr Bashkimi Europian.

Në nji prononcim për Indeksonline, Kelmendi tha se modelet ma të mira lidhun me këtë çashtje i kanë shumica e vendeve europiane, konkretisht Austria dhe Gjermania.

Modelet ma të mira i kanë shumica e vendeve evropiane konkretisht Austria dhe Gjermania, prandaj mendoj që Kosova dhe Shqipëria janë të vonuara pak në këtë proces por megjithatë nuk është vonë që të bëjnë implementimin e kësaj strategjie për mësim-besimin në shkollat publike duke i ndjekur gjithmonë praktikat e Bashkimit Evropian” , tha ai.

Simbas tij, landët fetare i ligjërojnë imamët e klerikët mvarësisht prej besimit fetar.

Në shumicën e vendeve të BE-së ata që e ligjërojnë lëndën fetare janë njerëz profesionist, lëndën që i përket besimit islam e ligjërojnë imamët dhe hoxhallarët, ndërsa atë të besimit të krishterë udhëheqësit e tyre fetar, këtë lëndë nuk mund ta ligjërojë një njeri i cili nuk ka bazë në fenë qoftë islame apo krishtere”, tha ai.

Lidhun me debatin e kësaj çashtje, i cili nuk po shuhet Kelmendi ka thanë se kjo duhet të organizohet në mënyrë institucionale dhe ligjore në mënyrë që keqkuptimet të mbyllen.

Unë mendoj që çdo gjë që organizohet në mënyrë institucionale dhe ligjore i largon gjitha keqkuptimet dhe botëkuptimet e ndryshme eventuale, prandaj nëse mësim besimi organizohet në mënyrë institucionale mbi bazën e arsimit parauniversitar dhe nga imamët të cilët janë të akredituar nga Bashkësia Islame si dhe nga Kisha Katolike dhe të tjerët, i mbyll të gjitha dyert e keqkuptimeve eventuale”, ka thanë Kelmendi.

Kelmendi theksoi se nxanësve duhet me u dhane mundësia që në mënyre institucionale me mësue mbi fenë, e jo në rrugë jo ligjore, përmes internetit apo personave të ndryshëm.

Nxënësit duhet të mësojnë, krejt çka ka të bëjë me mësimin fetar, varësisht prej nivelit të nxënësve atëherë mund të zbatohet praktika e mësimit mbi fenë, varësisht për cilën fenë mësohet, nëse mësohet për islamin atëherë mësohet për pejgamberin e fundit, mënyrën se si është sill me njerëz, mënyrën e tolerancës, edukatën të cilën e ka promovuar ai dhe të cilën e promovon islami. Më vjen keq që duhet ta them këtë por populli ynë nuk ka informatë të duhura rreth islamit, i duhen informata institucionale që të kuptohet se islami është fe e paqes dhe tolerancës dhe promovon bashkëjetesë mes gjitha kombeve, gjitha feve dhe etnive të ndryshme”, tha ai.