Gjergji: LDK po rreshqet drejt komunizmit. Në LDK anetaret vëzhgohen se a po i bajnë ‘like’ Gervalles, Osmanit apo edhe Gjergjit!

“Fatkeqësisht, s’asht hera e parë që në LDK shihen skenat e dhunës, por kjo ishte ma e papranueshmja, sjellje jonjerëzore, jo etike”, tha i ftuemi në Rrokum Roll, Rexhep Gjergji, nji nga themeluesit e LDK.

“Udhëheqja aktuale në krye me Isa Mustafën ka tregue se ka me ba nji LDK të re, me shfarosë ate. Me gjestet ndaj Donikes u vërtetue kjo. Skena të tilla te dhunshme s’guxojnë me u përsërite kurrë në partinë që ajo ka dhanë shumë dhe kanë respekt për ate zoje, jo vetëm populli shqiptar, por edhe ma gjanë”, tha Gjergji.

Tue thanë se e ka pa çfarë gjuhe po e perdorë udhëheqja e LDK në komunikata, Gjergji tha se, shpreson për nji kërkim falje ndaj Gervalles.

“Fjalori i tyne aspak nuk lidhet me kulturën e LDK’s, politikat qytetare e integruese. Pesha e gabimit bjen mbi gjithë njerëzit e tij, mbi krejt ata njerëz që janë rreth tij”, ka vlerësue Gjergji.

Simbas tij, mbrenda LDK’s po ndodhin vlime: ajo e Isa Mustafes dhe e klanit të tij për me i ruejtë pozitat në parti; dhe ajo e kryesisë e anëtarëve të saj.

Ai ka zbulue se në LDK t’kqyrin edhe “like” kujt po i ban.

“Për nji ‘like’ mundet me i kushtue vendi i punës”, tha Gjergji, tue aludue se LDK ka ardhë në këtë gjendje me kryesinë e re.

“Kosova po shkon ne ate drejtim, prej nga njerëzit po ikin prej saj”, – tha ai.

Ai ka deklarue edhe për mundësinë e ndikimit të SHIK në LDK.

“Nji strukturë e madhe e LDK’s asht argat i SHIK. Argumente nuk kam, por kur flitet aty diçka ka, ka njerëz që i dijnë, por nuk guxojnë me dalë”, tha ai.

Gjergji vlerësoi se me këtë situatë, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve te jashtëzakonshme, nga të cilat LDK dhe kryesia e saj nuk kanë me dalë mire.

Gjergji në vazhdim ka dhanë opinionin e tij edhe për dy marrëveshjet e famshme, Demarkacionin dhe Asociacionin.

Për te, të dy marrëveshjet, ajo e Demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe janë të damshme për vendin.

“Ata mbi çdo gja e kanë interesin personal, dhe ikjen nga përgjegjësia. Ata janë të zhytun në korrupsion”, tha Gjergji tue iu referue LDK’s.

Ai kallxoi se në sondazhin para se me u zgjedhë President Hashim Thaçi, LDK e ka pasë 13% besimin e qytetarëve, ku u shpreh i bindun se në sondazhet e këtyne ditëve, LDK ka ra edhe ma poshtë.