Gjermania anulon Schengen’in përkohësisht

Nji muej para mbajtjes së Samitit G20 në Hamburg, Gjermania ka suspendue regjimin e Schengen’it dhe ka futë kontroll në të gjitha vendkalimet kufitare, ka kumtue Ministria Mbrendshme e Gjermanisë.

“Për mue siguria asht në vend të parë dhe fillon në kufijtë tonë”, ka thanë Ministri i Mbrendshëm Thomas de Maiziere në prag të konferencës së ministrave të mbrendshëm të krahinave federale gjermane në Dresden.

Me kontroll të kufijve para se gjithash synohet m’u parandalue ardhja e protestuesve nga vendet përreth, para se gjithash nga Franca, Italia dhe vendet e Beneluksit.

Siç asht kumtue, suspendimi i Schengen’it asht vendos me marrëveshje me vendet fqinje dhe Komisionit Europian e cila heqjen e kalimit të lirë të kufijve lejon vetëm në rast të jashtëzakonshme në çka hyn edhe mbajtja e Samitit G20, më 7 Dhe 8 Korrik në Hamburg.

Takimet e deritanishme të këtij lloji janë shoqnue me protesta të mëdha dhe mbikëqyrje të ashpër të policisë.

Përkundër futjes së kontrollit, policia nuk llogaritë në bllokime nëpër kufi.

Në kufinin e Gjermanisë dhe Austrisë kontrollet janë në fuqi prej fillimit të valës së refugjatëve në Shtator të vitit 2015.