Gjermania me 100 ushtarë ma pak n’Kosovë

Nga 750 ushtarë gjermanë sa janë tash në kuadër të KFOR’it në Kosovë, në Vjeshtë do të mbeten rreth 650, mbasi gjendja e sigurisë në Kosovë vlerësohet “esencialisht e qetë dhe stabile”.

Kufini maksimal i angazhimit të ushtarëve gjermanë në Kosovë në kuadër të KFOR nga 1850 sa asht tash, do të zvogëlohet në 1350.

Kështu ka vendos Qeveria gjermane.

Për këtë qëllim ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, si dhe ministri i Jashtëm, Frank Walter Steinmeier, kanë informue të Hanën me shkrim shefat e grupeve parlamentare në Bundestagun gjerman.

Simbas revistës gjermane “Der Spiegel”, misioni i NATO’s në Kosovë, KFOR, edhe për nji kohë të gjatë nuk do të perfundojë.

Vendimi i Qeverisë gjermane për zvogëlimin e numrit të ushtarëve gjermanë në Kosovë, që asht marrë mbramë, simbas “Der Spiegel” pritet të miratohet tash edhe nga Bundestagu.

Për 16 vjet rresht, Bundestagu ka miratue çdo vit vazhdimin e mandatit të ushtarëve të Bundeswehrit në Kosovë.