Gjithçka asht gati për Gjykatën Speciale

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës kanë thanë se deri tash janë krye tana obligimet për themelimin e Gjykatës Speciale. Ata thonë se infrastruktura juridike për Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë tashma asht ndërtue, përfshi këtu aprovimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializueme dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuem.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se të gjitha veprimet për formimin e kësaj gjykate janë ndërmarrë, tue respektue ligjet e Kosovës dhe rregulloret e veçanta. Ai ka thanë se, nuk ka asnji arsye që institucionet e Kosovës mos me bashkëpunue me këtë gjykatë.

“Në Kosovë nuk ka ndonji çashtje të pazgjidhun. Deri tash tana çashtjet janë miratue në Kuvend dhe janë dërgue në Bruksel. Tash ka mbetë që Brukseli me ba rekrutimin e gjyqtarëve”, tha Haliti.

Edhe në Qeverinë e Kosovës kanë thanë se obligimet e tyne karshi Gjykatës Speciale kanë përfundue.

Besnik Berisha, këshilltar i Jashtëm për çashtje të Drejtësisë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo çashtje tash asht e përfundueme dhe se qeveria nuk ka dhe nuk duhet me u përzie në punët e sistemit të drejtësisë.

“Tash e tutje asht çashtje e pushtetit të drejtësisë. Asht çashtje që të merren ata dhe çdo ndërhymje e Qeverisë në parim kishte me përba cenim të ndamjes së pushteteve”, tha Berisha.