Gjykata Speciale po troket n’derë

“Arrestimet e kohëve të fundit lidhen vetëm me nji krah të krimit të organizuem, por jo edhe me qendrën e tij, e cila deri tash ka mbetun e paprekun. Por, mbetet për me u ba ende shumë presion, që me veprue organet e drejtësisë ndërkombëtare, por edhe ato vendore. Në hapat e ardhshëm kemi me pas nji pasqyrë ma të kjartë se a ka me u goditë seriozisht krimi i organizuem po jo”, thotë deputeti Adem Salihaj.

Arrestimet e kohëve të fundit të ‘profilit të naltë’, që ndodhën në Kosovë, kanë ba që njifarë mënyre me u çue nga gjumi dhe me u ringjallë organet e drejtësisë, mbasi janë të pakta dhe të rralla veprimet e ngjashme të kësaj natyre në këto vitet e fundit. Kësisoj, shtrohet pyetja se a asht kjo nji shejë se, bashkësia ndërkombëtare po ban presion te politika, por edhe tek drejtësia kosovare, që që mos me hezitue për me burgosë edhe të ashtuquejtunit ‘peshqit e mdhaj’, të cilët deri tash, por ende konsiderohen si të paprekun. Arrestimet në fjalë dhe marrja në pyetje e zyrtarëve të naltë, a mundet me qenë po ashtu, nji shejë se, Gjykata Speciale veçse ka fillue me veprue. Analisti politik, Florim Zeqa, në nji prononcim për gazetën “Kosova Sot” thotë se tue u bazue në nivelin e naltë të korrupsionit në vend, arrestimet e fundit dhe marrja në pyetje e disa prej zyrtarëve të naltë, simbas tij, janë ende sipërfaqësore.

Ai ma tej ka nënvizue se në asnji rrethanë nuk duhetme u ngatërrue krimet ekonomike me krimet e supozueme të luftës, dhe dyshimet në këtë drejtim, simbas tij, asnjiherë nuk duhet bazue në paragjykime, por vetëm në fakte dhe argumente konkrete. “Tërhekja e nji analogjie të tillë, të krimeve ekonomike me krimet e luftës, nuk i shkon për shtati zgjidhjes së drejtë dhe gjykimit të paanshëm të rasteve. Sa herë që bahet fjalë për “peshqit e mdhaj” në Kosovë, nënkuptohet për bartësit e krimeve ekonomike të akomoduem në majat e pushtetit. Arrestimet e fundit mundet edhe me pas lidhje me Gjykatën Speciale, mirëpo përderisa nuk ka fillue punën kjo Gjykatë, çdo gja mundet me mbet në vazhdën e spekulimeve”, shprehet analisti Zeqa.