Gjykimi ndaj Fatmir Limajt merr kthesë të papritun

Gjykimi i Fatmir Limajt në rastin e MTPT’s mori nji kthesë të papritun kur prokurori Charles Hardaway, në seancën e ditës së Martë, u pajtue me kërkesën e avokatit të Limajt, Karim Khan, i cili kërkoi nga trupi gjykues që dëshmia e dëshmitarit tashma të ndjerë, Mehmet Shkodra e dhanë në Agjensionin Kundër Korrupcion të veçohet nga shkresat e landës.

Deklarata e Mehmet Shkodrës e dhanë në Agjensionin Kundër Korrupcion, ishte nji nga provat e propozueme nga prokurori Hardaway në aktakuzën e ashtuquejtun të konsoliduem.

Avokati Karim Khan, i cili rishtazi u ba pjesë e ekipit të Limajt së bashku me Tahir Rrecajn, në seancën e ditës së Martë para trupit gjykues kërkoi që deklarata e dëshmitarit Mehmet Shkodra dhe transkriptet e asaj deklarate të mos veçohen nga provat e tjera në rastin Limaj.

Khan për këtë përmendi edhe vendimin e Gjykatës së Apelit, që e ka vërtetue se ato prova janë të papranueshme.

Në seancën e sotme prokurori Hardaway para trupit gjykues tha se e pranon kërkesën e avokatit Khan për veçimin e atyne provave por tha se ka me vazhdue me ju referue atyne.

Dëshmitari Mehmet Shkodra kishte vdekë në nji aksident trafiku në vitin 2010 në Austri, ndërsa mbrojtja e Limajt asnjiherë nuk e ka pasë mundësinë që ta marrë në pyetje atë.

Çashtjen e papranueshmënisë së deklaratës së dëshmitarit Mehmet Shkodra disa herë e ka ngritë në seancë edhe avokati Tahir Rrecaj, por vetëm kur ajo u tha nga goja e avokatit nga Londra Karim Khan, si doket u mor parasysh nga prokurori Hardaway.

 

 

Në seancën e ditës së nesërme ka me u ditë edhe qëndrimi i trupit gjykues lidhun me këtë çashtje mbasi që seanca e ditës së sotme u desh të ndërpritej mbas pauzës së drekës, sepse gjyqtari vendor i trupit gjykues kishte dy gjykime me paraburgim.

Në seancën e nesërme, po ashtu ka me u ditë edhe për fatin e kërkesës së prokurorit Hardaway për përjashtimin e avokatit të Nexhat Krasniqit dhe po ashtu edhe të dëshmitarit të prokurorisë në këtë rast, Adem Grabovcit.

Në këtë proces, Fatmir Limaj po akuzohet për krim të organizuem lidhun me veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Për të njajtat vepra si Limaj- krim të organizuem dhe shpërdorim detyre ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX’i quhet e konsolidueme mbasi në të janë bashkue rastet MTPT 1 dhe 2 më 30 Tetor të vitit të kaluem, e cilësoi të ngritun me urdhën politik. /KALLXO.com/