‘Godet’ Akademia e Maqedonisë, çka thotë për Nanë Terezen!

Akademia e Shkencave në Maqedoni pretendon se Nanë Tereza nuk asht shqiptare.

Presidenti i kësaj akademie, Taki Fiti, dikur ministër i Financave, thotë se i ka ardh në majë të hundës nga propaganda politike e Tiranës zyrtare, e cila pretendon se Agnes Bojaxhi asht nji shqiptare etnike.

Në nji fjalim në Akademinë e Maqedonisë, Taki Fiti thotë se Nanë Tereza ka lind në Shkup dhe nuk asht shqiptare, tue shtue se baba i saj, Nikolla Bojaxhi asht nji vllah maqedonas dhe nana e saj, e lindun në Shkup, ka prejardhje të përzieme, maqedonase dhe shqiptare.

Simbas tij, interesant asht fakti se të afërmit e mbetun të Nanë Terezës, përfshi edhe stërnipin e saj që ka nji dyqan bizhuterish në Shkup, nuk flasin shqip.

Agjencia maqedonase MINA shkruen se kjo nuk do e ndalë Tiranën në pretendimet ndaj Nanë Terezës.

“Sikur të mos mjaftonte se Nanë Tereza vjen nga nji etni mikse, ajo vetë nuk e pa veten sikur i përkiste dikujt specifikisht, por të gjithëve”, shkruen agjencia.

Vetë Taki Fiti thotë se këto pretendime të Shqipnisë i merr si personale mbasi ai asht vetë nji vllah etnik maqedonas.