Grajçevci: Kosova humbi mikun e madh n’BE

Ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe Lirim Grajçevci, përmes nji postimi në Facebook ka reague ndaj referendumit të djeshëm britanik.

Ai ka thanë se edhe pse Kosova ka humb nji nga mbështetësit kryesorë në Bashkimin Europian, raportet e shkëlqyeshme bilaterale midis Kosovës dhe Britanisë kanë me vazhdue me qenë të forta dhe të gjithanshme.

Ky asht postim i ambasadorit të Kosovës në Londër:

Populli britanik ka votuar për të dalë nga Bashkimi Evropian, me një shumicë të ngushtë. Kjo çështje ka ndarë votuesit në dysh, duke zgjuar emocione të forta, të cilat në fund vendosën të ardhmen e Britanisë së Madhe jashtë Bashkimit Evropian.

Rezultati është zhgënjyes dhe befasues, por ky është vullneti popullor dhe, si i tillë, duhet pranuar dhe respektuar.

Situata e krijuar është me shumë të panjohura dhe pasiguri, por Britania e Madhe tani do të duhej të negociojë një raport të ri me Bashkimin Evropian dhe kjo do të mund të zgjasë me vite.

Edhe pse Kosova ka humbur një nga mbështetësit kryesor në Bashkimin Evropian, raportet e shkëlqyeshme bilaterale midis Kosovës dhe Britanisë do të vazhdojnë të jenë të forta dhe të gjithanshme.